ÇKA DO TË BËNIM,
NËSE MUHAMEDI (SAVS),
DO TË VINTE TE NA VIZITONTE?
Nëse Muhamedi (savs), do të vinte të na vizitonte, shtrohet pyetja, si do të kishim vepruar?
Sikur ta shihnim duke ardhur te ne, a do ta pritnim krahëhapur, apo me ankth në zemër?
Në shtëpinë tonë, a do të mund të hynte Pejgamberi i Islamit menjëherë, apo do t’i thoshim atij që të presë, (sepse duhet t’i shmangim disa gjëra)?
A do ta hiqnim me shpejtësi nga Kurani pluhurin, nga frigoriferi do t’i hidhnim birrat, mishin e ndaluar, dhe do ta ndalnim/fiknim TV dhe CD playerin?
Le të pyesim veten, nëse Pejgamberi (savs) do t’i kalonte me neve një ditë ose dy … a do të jetonim si më parë, dhe do t’i punonim para tij të gjitha gjërat?
A do t’i kishim ditët të njëjta, a do të ishim ndaj familjes të egër dhe arrogant? A do t’i lëshonim edhe atëherë namazet, apo do të nxitonim në sabahun e hershëm?
A do të guxonim ta çojmë Pejgamberin (savs), në vendet që zakonisht shkojmë apo për një ditë do t’i anashkalojmë kafenetë dhe do ta ndryshojmë rutinën tonë?
A do të guxonim para tij t’i flasim ato gjëra që zakonisht i flasim dhe bëjmë gibet, apo do të kemi kujdes për gjuhën tonë?
A do të guxonim t’i shikojmë vajzat e ndryshme dhe t’i lexojmë gazetat e neveritshme, apo do të përpiqemi që të lëmë përshtypje sa më të mirë?
A do të na vinte mirë që ai të njoftohet me miqtë tonë, apo do ta lutnim Zotin që mos të takohet me ta?
A do të kemi zemër për t’i thënë se ne nuk falemi, nuk e përmendim Allahun dhe atij nuk i dërgojmë salavate?
A do të ishim të lumtur që Pejgamberi (savs) të qëndrojë tek ne më gjatë, apo do të merrnim frymë lirisht dhe do të ndjenim lehtësim, kur të përfundonte vizita?
Po, me të vërtetë do të ishte interesante ta dinim se çka do të bënim, nëse do ta takonim Pejgamberin (savs), në realitet …