Çuçi: Po shohim rezultatet e para të një policie sa më moderne e evropiane

Mos i humb

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi vlerësoi sot se Njësia Policore Detare vjen si pjesë e transformimit dhe modernizimit të Policisë së Shtetit për të garantuar sigurinë.

Njësia Policore Detare përbëhet nga 104 punonjës policie të përzgjedhur nga Policia Kufitare dhe Migracionit dhe Policia e Rendit, e trajnuar dhe e certifikuar nga specialistë të Rojës Bregdetare shqiptare në bashkëpunim me Departamentin e Kufirit dhe Migracionit.

Në fjalën e mbajtur gjatë prezantimit të kësaj strukture në Vlorë, Çuçi tha se transformimi dhe modernizimi i Policisë së Shtetit ka qenë dhe mbetet një proces jo i lehtë dhe kompleks.

“Ne e gjetëm në ditën më të ulët Policinë e Shtetit dhe na u desh të merreshim me gjëra bazike”, tha ai.

Çuçi vlerësoi se kjo strukturë e re vjen si përgjigje e një dimensioni tjetër që ka marrë organizimi i turizmit në Shqipëri.

“Sfidat janë shumë të mëdha për Policinë e Shtetit dhe ne i jemi përgjigjur me dinamikë. Sapo kemi miratuar një strukturë që transformon tërësisht organizimin e Policisë Kriminale duke u fokusuar te krimi i organizuar dhe duke e shkëputur Policinë Kriminale nga krimet e lehta, të cilat janë nën Policinë e Rendit Publik. Po ashtu edhe në përballje me sfidën e sigurisë kibernetike”, tha ai.

Ministri theksoi se “tashmë kemi filluar të shohim edhe rezultatet e para të një policie sa më moderne e evropiane”.

Ai vlerësoi krijimin e njësisë policore bregdetare dhe uroi që të jetë një nga risitë e këtij sezoni turistik me pritshmëritë që janë për dyfishim të numrit të turistëve.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit