Daçiç do Thaçin e jo Limajn si udhëheqës të dialogut me Serbinë

Mos i humb

Pavarësisht se Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë për dialogun me Serbinë, ku është caktuar edhe ekipi i ri negociues, i prirë nga kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç, thotë se nuk ka asnjë indikacion se formati i dialogut Kosovë-Serbi mund të ndryshohet dhe shtoi se Serbia është e gatshme të vazhdojë bisedimet, por jo derisa të hiqet taksa për mallrat serbe.

“Nuk ka bisedime nga pozicione të reja”, ka thënë Daçiqi për Radio Televizionin e Serbisë.

Në pyetjen nëse Fatmir Limaj është i pranueshëm për negociata me Serbinë, ai tha “sigurisht së nuk është”.

“Sa i përket formatit të dialogut, ky format është i qartë: është presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryetari i Kosovës Hashim Thaçi”, tha Daçiç.

I pyetur nëse vendimi për Kosovën duhet të kthehet në Kombet e Bashkuara, ai tha se dialogu do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian, por se marrëveshja nuk do të ketë nëse nuk verifikohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

“Prandaj, është e rëndësishme se çfarë mendojnë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia, Kina dhe Amerika”, tha Daçiç.

Duke folur për idenë e demarkacionit të cilën ai e ka plasuar më parë, Daçiç tha se “do të ishte një lloj propozimi i drejtë, për të parë se çfarë është serbe dhe çfarë është shqiptare”.

Lidhur me letrën e presidentit amerikan Donald Trump për presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi, Daçiç vuri në dukje se në letër flitet për nevojën për të arritur një kompromis.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit