
Kryetari i komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku , derisa ka dhënë komentet e tij për ndarjet buxhetore për vitin 2019, ka shprehur shqetësimin që gjysma e Buxhetit të Kosovës do të shkojë në skema sociale dhe rroga, dhe kjo siç tha ai Kosovën e qon drejt një borxhi të madh publik.
“Plani i Qeverisë që e kemi diskutuar në Kuvend është 8 për qind ndërsa sot vjen me 4.5 për qind. Ndihem i shqetësuar për rritjen e borxhit publik në terma real. Poashtu shqetësuese është rritja e shpenzimeve prej 12.5 për qind përkundër të hyrave prej 7 për qind, ku 100 milionë euro shkojnë në skemën e veteranëve, ndërsa në Kosovë janë 22 skema sociale. Është për tu shqetësuar që 54 për qind buxhetit shkon në paga dhe skema sociale”, theksoi Abdixhiku.
Lidhur me këtë ka reaguar deputeti i AAK-së, Blerim Kuqi i cili tha se ky draft-buxhet është ana më pozitive që ka Kosova.
“Kryesuesi nxori vetëm anët negative të këtij draft buxheti, sipas statistikave të ATK-së, numri të punësuarve është rritje mbi 18 mije të vendeve të punës. Prandaj, ky buxhet është ana më pozitive që kemi dëgjuar deri më tani. Krahasuar nga viti 2017 buxheti është rritur mbi 36 për qind, ndërsa vërejtja ime është në ndarjet buxhetore, sepse nuk ka ndarje specifike të buxhetit për krijim të vendeve të reja të punës”, u shpreh Kuqi./Kosova Post/


