Dështon tentativa e Ramës për cenzurë/ Kryeministri akuzon mediat se kanë “nxirë situatën”

Mos i humb

Më pak se 24 orë nga mbyllja e aksesit në Shqipëri në domainin joqalbania.com, njerëzit pas kësaj faqeje hapën një domain të ri, joq-albania.com, i cili është i aksesueshëm nga të gjitha rrjetet e shërbimit të internetit në vend ndërkohë që një sulm piratesk mbi faqen e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare, AKEP.al, e ka rrëzuar këtë faqe që nga mëngjesi i së dielës.

Qeveria shqiptare duket se urdhëroi kompanitë e internetit të bllokojnë aksesin në këtë faqe interneti mëngjesin e së shtunës, një ditë pasi policia deklaroi se kishte referuar në prokurori dy drejtuesit e faqes, Erland Dalliu, 29 vjeç dhe Gentian Çengeli, 39, duke i akuzuar se me postimet e tyre, që sipas policisë, janë të pavërteta, kanë përhapur panik në popullsi.

Faqja aktualisht e bllokuar, joqalbania.com, vijon të jetë e aksesueshme për përdoruesit e broëserit TOR, [link për doënload] një ekuivalent i Chrome, Mozilla apo programeve të tjera të lundrimit në internet, i cili është krijuar për përdoruesit e internetit në vendet diktatoriale si Kina, Arabia Saudite, Egjipti apo Rusia ku qeveritë autokratike i japin të drejtë vetes të bllokojnë faqet e internetit sipas dëshirës.

Veprimi i policisë dhe i AKEP shkaktoi protestë nga Këshilli Shqiptar i Medias, një organizatë jofitimprurëse në Tiranë, e cila akuzoi kryeministrin Edi Rama se po mbyll në mënyrë të jashtëligjshme median online, duke shfrytëzuar situatën e emergjencës të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Rama është shprehur vazhdimisht i pakënaqur me median, sa herë është përballur me akuza të ndryshme. Pas tërmetit të Durrësit, ndërsa gazetarët ngritën pikëpyetje mbi aftësinë e qeverisë për të menaxhuar një krizë si dhe raportuan për mijëra të pastrehë të mbetur pa ndihma, Rama iu rikthye teknikës së vjetër së hedhjes së fajit te media.

Pyetur nga një gazetare ndërsa shëtiste mes rrënojave të tërmetit të dielën, Rama tha: “Ata [redaktorët] duhet t’ju orientojnë të jepni sa më shumë energji pozitive, të mos merreni shumë me këto historitë që janë anësore. […] Ata që ju drejtojnë me telefon nga redaksitë dhe ata që mbledhin në darkë lloj lloj sharlatanësh, sepse njerëzit janë të tmerruar dhe një nga gjeneratorët e tmerrit janë ekranet.”

Rama sugjeroi në këtë mënyrë se qytetarët e Shqipërisë qendrore që gjatë pesë ditëve të fundit u tmerruan nga goditje të panumërta tërmeti, janë tmerruar më shumë nga raportimet në media mbi tërmetin se sa nga vetë tërmeti.

Rama ka shprehur edhe më herët dëshirë për të pasur mundësi të mbyllë median online sipas dëshirës, ndonëse kjo është kritikuar si një dëshirë jo në përputhje me standardet europiane të të drejtave të njeriut.

Një projektligj i propozuar me nismën e vetë Edi Ramës dhjetorin e kaluar, parashikonte mundësi të gjera për qeverinë që të mbyllte median online. Një variant i këtyre projektligjeve që nuk parashikon mundësinë e mbylljeve të faqeve të internetit por gjobitjen e tyre me gjoba të majme vijon të jetë në shqyrtim në parlament pavarësisht kritikave të vazhdueshme të organizatave shqiptare dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. /BIRN/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit