Shqipëria po përmirëson kuadrin ligjor për menaxhimin e mbetjeve, duke e përafruar me atë të BE-së.
Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi sot marrëveshjen e huasë me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Mjedis i pastër dhe me aftësi ripërtëritëse, Deti Blu”, nëpërmjet së cilës akordohet një financim, në shumën 75 500 000 euro.
Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla, e cila paraqiti marrëveshjen në Komision tha se qëllimi i projektligjit është të reduktojë ndotjen nga burimet tokësore në mjedisin ujor në zona të përzgjedhura të brezit bregdetar jugperëndimor të Shqipërisë.
“Objektivat që projekti synon të arrijë lidhen me promovimin e qasjeve të integruara qarkulluese për mbrojtjen e peizazheve dhe burimeve ujore, uljen e ndotjes së ujit në lumin Vjosë dhe zgjerimin e infrastrukturës sanitare”, u shpreh ajo.
Plani i Ri Kombëtar i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2020–2035 synon të përfshijë parimet e ekonomisë qarkulluese në sistemin kombëtar të menaxhimit të mbetjeve.
Prandaj, fokusi në reduktimin e ndotjes dhe masat parandaluese do të përfshijnë investime në infrastrukturën gri dhe të gjelbër, si dhe në kapitalin njerëzor për ndryshimin e sjelljes, në mënyrë që të adresohen menaxhimi i përmirësuar dhe i integruar i mbetjeve bashkiake, përfshirë mbetjet plastike për të kaluar drejt një ekonomie qarkulluese në zonën e mbetjeve Vlorë Jug-Gjirokastër, si dhe ndotja e ujit nga burimet e njohura, veçanërisht nga ujërat e ndotura të patrajtuara, si dhe nga burime të tjera, si sedimentet dhe rrjedhjet nga plehrat organike në pellgun e lumit Vjosë.
“Të gjitha ndërhyrjet me ndihmën e projektit parashikohen të kontribuojnë pozitivisht në rritjen ekonomike të rajonit, duke pasuruar peizazhet piktoreske, duke zhvilluar më shumë turizmin, duke rritur punësimin dhe duke sjellë potencialisht më shumë të ardhura për komunitetet e zonës. Projekti do të ketë impakt pozitiv në mjedis në terma afatgjatë, sepse synon përmirësimin e shërbimeve publike bashkiake nëpërmjet menaxhimit të kontrolluar dhe të qëndrueshëm të mbetjeve të ngurta bashkiake dhe ujërave të ndotura”, deklaroi Xhembulla.