“Dialogu i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve turko-amerikane”

Mos i humb

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar tha se në qershor pret që Rusia t’i dorëzojë Turqisë sistemin e mbrojtjes S-400.

Akar mori pjesë në sesionin e 37 të rregullt vjetor të Këshillit Ekonomik dhe Turistik të Bashkëpunimit SHBA-Turqi (TAIK) dhe Këshillit Amerikano-Turk (ATC) mbrëmë në Washington.

Duke folur për gazetarët, Akar vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh turko-amerikan në fushën ushtarake dhe në të gjitha fushat tjera.

“Ka disa probleme, por problemet tona askush tjetër nuk do t’i zgjidhë, ne duhet ta bëjmë këtë. Jemi duke punuar pa pushim rreth kësaj. Shpresojmë se së shpejti do të arrihen kushtet për tejkalimin e problemeve aktuale”, tha Akar.

“Dialogu është vendimtar për marrëdhëniet tona”, tha Akar.

Duke theksuar se Turqia është përballur me kërcënime serioze ajrore në rajonin e krizës në të cilën ndodhet dhe është e natyrshme të forcojë kapacitetet e saj të mbrojtjes, Akar tha se përvetësimi i sistemeve të mbrojtjes është çështje e sovranitetit, pavarësisë dhe mbrojtjes së vendit.

“Në mes shteteve nuk duhet të ketë ultimatume dhe retorika që na distancojnë. Nuk duhet ndërlidhur atë që Turqia nga Rusia merr sistemin S-400 dhe nga SHBA-të avionët luftarakë F-35 “, tha Akar, duke shtuar se Turqia është gjithashtu e interesuar për blerjen e sistemit amerikan Patriot.

Autoritetet amerikane kundërshtojnë blerjen e sistemit rus S-400 nga Turqia dhe konsiderojnë se kjo mund të kompromitojë avionin amerikan F-35.

“Sistemi S-400 ekziston në Siri dhe jo shumë larg prej tyre në Izrael janë avionët F-35. Ngjashëm është edhe në rajonin e Balltikut. Ne ju ftojmë të bisedojmë për t’i zgjidhur këto gjëra. Ne nuk do t’i integrojmë këto sisteme në NATO, por ato do të veprojnë në mënyrë të pavarur, me shumë gjasa në Ankara dhe në Stamboll ndërsa avionët F-35 do të jenë në Malatya. Në mes ka një distancë të madhe. Ne jemi të hapur për bisedime nëse diçka duhet të bëhet nga pikëpamja teknike”, tha Akar.

Ai tha se sistemet S-400 nuk janë dorëzuar, por se me siguri do t’i dorëzohen Turqisë dhe shtoi se pala ruse në takimin e fundit ka përmendur qershorin si një datë të mundshme të dorëzimit.

Duke komentuar situatën në Sirinë e shkatërruar nga lufta, Akar tha se Turqia mbështet krijimin e një zone të sigurt përgjatë kufirit verior të Sirisë dhe vetëm për arsye sigurie, sepse në atë rajon veprojnë terroristët të cilët janë një kërcënim për Turqinë.

“Turqia respekton plotësisht integritetin politik dhe integritetin territorial të Sirisë. Ne nuk kemi aspirata për territorin sirian. Qëllimi ynë është të neutralizojmë kërcënimin terrorist ndaj vendit dhe rajonit tonë”, tha Akar.

I pyetur për të komentuar rreth krizës aktuale politike në Sudan, Akar tha se është e qartë se shumica e vendeve afrikane janë vatra të luftës për dominimin e disa vendeve të Lindjes së Mesme.

“Dëshira jonë është që populli vëllazëror sudanez të jetojë në paqe, harmoni dhe në një demokraci sa më të mirë”, tha Akar.

Akar ka njoftuar se Turqia planifikon të ndërtojë një seli të re të Shtabit të Përgjithshëm në Ankara, e cila, siç tha, do t’i konkuronte edhe kompleksit amerikan të Pentagonit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit