Dimitrov: Është koha të demonstrojmë solidaritet evropian

Mos i humb

Ministri i Shtetit Gjerman për Evropën, Michael Roth, për shkak të situatës së krijuar me koronavirusin, ka zhvilluar një “vizitë virtuale” në Maqedoninë e Veriut me ç’rast është mbajtur një video-konferecë për media bashkë me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, (AA).

Duke komentuar situatën e pazakontë, ministri Dimitrov tha se rendi botëror nga një globalizim pothuajse total, brenda disa ditëve është kthyer prapa për disa dekada, duke shtuar se vizita e ministrit Roth ishte planifikuar të fokusohet në aspiratat evropiane të Maqedonisë së Veriut.

“Në këto momente të vështira, me Michael-in kemi dashur të demonstrojmë një bashkim dhe solidaritet më të gjerë evropian. Si me shembullin e krizës së migrantëve më herët, ashtu edhe tani është e qartë se Covid-19 nuk njeh kufij, nuk ka kombësi dhe na sulmon të gjithëve në Evropë në mënyrë të barabartë”, tha Dimitrov.

Ai bëri thirrje që Bashkimi Evropian (BE) të shqyrtojë mundësinë që t’u ndihmojë edhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në drejtim të zbutjes së pasojave socio-ekonomike nga koronavirusi, përfshirë edhe mundësinë e riorientimit të fondeve IPA, duke theksuar se “është koha të demonstrojmë solidaritet evropian”.

Duke folur për procesin eurointegrues të vendit, Dimitrov falënderoi ministrin gjerman dhe tha se përpjekjet e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të BE-së, duhet të shënohen me “sukses të përbashkët”.

“Është një privilegj i veçantë për të marrë një mbështetje të këtillë nga Gjermania, një mike e dëshmuar dhe e madhe e vendit tonë dhe një mbështetëse e madh e perspektivave tona evropiane”, tha Dimitrov.

Duke uruar fillimisht shëndet, ministri i Shtetit Gjerman për Evropën, Michael Roth, tha se tani të gjithë janë të detyruar të jenë solidarë dhe të veprojnë së bashku, ndërsa shtoi se edhe shtete si Gjermania ndodhen para një sfide të madhe.

“Ne kemi nevojë të rrisim mbështetjen tonë teknike. Kjo është përgjegjësi e plotë e BE-së edhe ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me këtë nuk dua të kërkoj falje, por të sqaroj se natyrisht edhe te ne pjesërisht ka disa mungesa të disa nga pajisjeve teknike”, tha Roth.

Duke folur për mundësinë e marrjes së datës për fillim të bisedimeve, Roth tha se Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë hapa të guximshëm duke ndryshuar emrin e shtetit dhe theksoi se është shumë e rëndësishme që BE-ja të mbajë premtimin e dhënë.

Ai gjithashtu theksoi se shkaku i situatës me koronavirusin, angazhohet që javën e ardhshme Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së të mbajë takim virtuel dhe se është optimist se do të miratohet vendimi për fillim të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Kujtojmë se shkaku i kundërshtimit të Francës, në Samitin e liderëve të BE-së në tetor të vitit të kaluar nuk u arrit marrëveshje për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit