Dritë e cila ndriçoi kështjellat e Shamit!

Mos i humb

Vijon nga tema: Shenjat e mëdha që u shfaqën natën e lindjes së Profetit (alejhi selam)

Për thënien: “E cila ndriçoi kështjellat e Shamit”.

Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) thotë: Veçimi i Shamit me shfaqjen e kësaj drite është shenjë e stabilitetit dhe përqëndrimin të fesë së tij në vendet e Shamit. Për këtë arsye, Shami në kohën e fundit para kijametit do të jetë bastion i Islamit dhe ndjekësve të tij. Aty do të zbresë Isai i biri i Merjemes, i cili do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin, do të heqë xhizjen (haraçin) dhe do të gjykojë mes njerëzve me legjislacionin Islam.

Për këtë arsye në dy librat e saktë të hadithit përcillet se profeti (alejhi selam) ka thënë: “Do vazhdojë të jetë një grup nga umeti im triumfues në të vërtetën. Ata nuk do ti dëmtojnë njerëzit që i braktisën dhe as ata që i kundërshtojnë, kështu do mbeten derisa të vijë urdhri i Allahut dhe ata do të jenë në këtë gjendje.” [E përcjell Buhariu me nr 3641. “Ata janë në Sham” kështu është shprehur Muadhi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij). Shih edhe “Sahih Muslim” me nr 1920 dhe “Tefsirin e ibn Kethirit” 1/184].

Në Sham përfshihet toka e Palestinës, Jordanisë, Sirisë, Libanit, dhe një pjesë e Irakut. Këtë tokë, Zoti e ka bekuar në librin e Tij të shenjtë në tri ajete:

I pari: Në fjalën e Tij që thotë: “I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jeruzalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona.[1] Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.” (Isra, 1)

I dyti: Në fjalën e Tij kur thotë: “Ne e shpëtuam atë dhe Lutin (dhe i çuam) në tokën, të cilën e kemi bekuar për njerëzit.” (Enbija, 71)

I treti: Në ajetin e Tij ku thotë: “Sulejmanit i dhamë erën e fortë, që të fryjë sipas urdhrit të tij, drejt tokës, të cilën Ne e kemi bekuar; Ne jemi të Dijshëm për çdo gjë.” (Enbija, 81)

Ibën Xherijr et-Taberi ka thënë: “Toka të cilën Ne e kemi bekuar” ka për qëllim Shamin.

Shumë hadithe profetike përcillen dhe flasin për vlerat e Shamit.

Profeti (alejhi selam) thotë: Lum për banorët e Shamit, lum për banorët e Shamit, lum për banorët e Shamit! Thanë: O i dërguar i Allahut, pse kështu? Tha: Ata janë engjëjt e Allahut të cilët i kanë shtrirë krahët e tyre mbi Shamin. [Fadailu Sham, me saktësimin e shejh Albanit fq 12].

Dhe thotë: Do të merrni pjesë në disa ushtri , një ushtri në Sham, një ushtri në Irak, dhe një ushtri në Jemen. Një burrë u ngrit dhe tha: Zgjidh njërën (ushtri) për mua o i dërguar i Allahut! Tha: Ju porosis për Shamin, sepse Allahu i Madhëruar ka dalë dorëzan për mua (i ka marrë në mbrojtje) për Shamin dhe banorët e tij. [Fadailu Sham, me saktësimin e shejh Albanit fq 13].

Rabia thotë: E dëgjova Ebu Idrisin të fliste për këtë hadith, duke thënë: Atij që Allahu i del për garant, nuk ka për të humbur. [Fadailu Sham, me saktësimin e shejh Albanit fq 13].

Profeti (alejhi selam) ka thënë: Me të vërtetë, unë pashë bartësit e librit (fesë) që u morën poshtë jastekut tim. Kur ç’të shoh; ajo ishte një dritë e fuqishme e cila u drejtua nga Shami. Në kohën kur të ndodhin fitnet (sprovat), besimi do të jetë në Sham. [Fadailu Sham, me saktësimin e shejh Albanit fq 14.]

Në një hadith tjetër thotë: “Nëse prishen banorët e Shamit, atëherë s’do ketë më mirësi tek ju. Një grup nga umeti im do vazhdojnë të jenë të përkrahur, nuk do ti dëmtojnë ata që i braktisin, derisa të bëhet kijameti. [Fadailu Sham, me saktësimin e shejh Albanit fq 19].

E lusim Allahun e Madhëruar të na bëjë të gjithëve nga grupi i shpëtuar!

Sapo lexuat ndodhitë për të cilat na lajmëroi Allahu, se Ai i bekoi vendet e Shamit dhe dëgjuat për hadithet që flasin për virtytet e Shamit.

Por Allahu nuk e ndihmon një popull derisa ata të ndihmojë vetëveten e tyre. Allahu thotë: “Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë.” (Haxh,40)

Gjithashtu thotë: “O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun,[2] edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.” (Muhamed, 7)

A nuk ka ardhur koha o umeti i Islamit në përgjithësi, dhe ju o banorët e Shamit në veçanti, që të kthehemi tek Allahu??? Mendoj se ka ardhur koha. Allahu thotë: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.” (Rrad, 11)

O Allah, krenoje Islamin dhe muslimanët!

“Subulus Selam fi Sirati Hajril Enam”

“Historia e Profetit alejhi selam”

Shkroi: Ebu Islam Salih Taha (Allahu e mëshiroftë)

[1] Vargu bën fjalë për udhëtimin e mrekullueshëm që pati Profeti Muhamed (a.s.) i shoqëruar nga engjëlli Xhebrail (a.s.) brenda një nate prej Mekës në Jeruzalem (e prej këtej deri në Fronin e Allahut të Madhëruar, ku u takua me Zotin).

[2] Pra, çështjen e Tij.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit