Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, u shpreh se, raporti i radhës i Komitetit Këshillimor të KiE për konventën e mbrojtjes së të drejtave të pjesëtarëve të pakicave kombëtare thekson se, duhet të merren masa ndaj gjuhës së urrejtjes ndaj këtyre komuniteteve.
“Jemi vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk kemi një praktikë të tillë dhe nuk garantojmë të drejtën themeltare të përfaqësimit të pakicave kombëtare. Nga ana tjetër raporti thekson me forcë se duhet të merren dhe hartohen politika efikase mbrojtëse sidomos për pakicën kombëtare greke, me qëllim që politikat e zhvillimit të mos u cenojnë atyre kultivimin e kulturës, pronës e të mos kufizohet e drejta për zhvillimin ekonomik”, tha Dule.
“Një fenomen që e kemi denoncuar në vazhdimësi, sidomos me politikat e qeverisë dhe kryeministrit, që prej vitesh ka qëllim strategjik rrëmbimin e pronës nga pronarët e ligjshëm, sidomos në brigjet e Jonit dhe vendosjen e tyre përmes trukeve në favor të interesave të tij klienteliste”, theksoi ai.
Nga ana tjetër, shtoi Dule, “raporti i kushton vëmendje edhe reformës territoriale të vitit 2014 dhe konstaton se ajo ka cenuar të drejta të pjesëtarëve të pakicave. Qeveria duhet të ulet me pjesëtarët e tyre dhe të konsultohet për të marrë aktet e nevojshme legjislative dhe ekzekutive me qëllim që të vihen në vend këto padrejtësi”.
“Raporti thekson se duhet të merren masa ndaj gjuhës së urrejtjes dhe krimit të urrejtjes ndaj pakicave kombëtare”, u shpreh Dule ndër të tjera.


