Ministri egjiptian i Ujitjes, Mohamed Abdel-Ati tha se vendi i tij nuk do të pranojë hapat e njëanshëm të Etiopisë lidhur me digën e saj në lumin Nil, transmeton Anadolu Agency (AA).
E përditshmja egjiptiane e drejtuar nga shteti “Al-Ahram” citoi një deklaratë të Mohamed Abdel-Ati me rastin e Ditës Botërore të Ujit duke thënë se Egjipti nuk do të pranojë pasojat e pafavorshme të mbushjes dhe funksionimit të “Digës së Rilindjes në Etiopi”.
“Diga e Rilindjes në Etiopi dhe efekti i saj në ujin e lumit Nil është një nga sfidat kryesore me të cilat përballet Egjipti në kohën e tanishme, veçanërisht me hapat e njëanshëm të Etiopisë”, tha ministri egjiptian.
Disa ditë më parë, Etiopia refuzoi thirrjet e Sudanit për të pasur ndërmjetës të jashtëm, përfshirë SHBA-të, BE-në dhe Unionin Afrikan, në mosmarrëveshjen e vazhdueshme mbi mbushjen dhe funksionimin e digës masive të Rilindjes hidroelektrike në lumin Nil.
Të mërkurën, Mohamed Idris, përfaqësuesi i përhershëm i Egjiptit në OKB, udhëhoqi përpjekjet për të hartuar një deklaratë që përshkruan një vizion të qartë ndërkombëtar për çështjet e ujit që fitoi mbështetjen e 155 vendeve anëtare të OKB-së.


