Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti mbledhje solemne për hir të kongresmenit amerikan, Eliot L. Engel i cili po qëndron për vizitë në Kosovë. Pas mbledhjës solemne të Qeverisë kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj mbajti një takim me kongresmenin Engel.
Pas takimit me të, kryeministri Haradinaj në konferencën e përbashkët për media me kongresmenin amerikan tha se është kënaqësi dhe nder që miqësia e popullit të Kosovës me SHBA-të e cila ekziston nga kohët e vështira po thellohet në avancimin e demokracisë, në forcimin e lirisë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e Kosovës.
Duke theksuar se ka qenë nder për të po ashtu edhe prania e djeshme e kongresmenit Engel në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale Haradinaj tha se Engel ka qenë dëshmitarë për ta konstatuar që Kosova vërtetë është një demokraci premtuese.
“Kosova ka ende tema të hapura por e ka përcaktimin euro-atlantik. Në tema të mbetura të hapura ne e kërkojmë ndihmën e juaj, ndihmën e Amerikës por po ashtu ju premtojmë se do ta nderojmë këtë ndihmë me kujdesin më të madh për avancimin e demokracisë, rendit dhe të ligjit, për luftimin e krimit dhe korrupsionit, për një Kosovë që është e lirë për të gjithë qytetarët e vendit”, tha Haradinaj.
Ai i dhuroi kongresmenit Engel pllakën e argjendtë që ka të bëjë me një vulë dhe pullën postale të punuar nga Posta e Kosovës me fotografinë dhe emrin e tij duke theksuar se është në shenjë të dashurisë që shpreh populli i Kosovës për të.
Ndërsa, kongtresmeni Engel tha se ndjehet i lumtur për marrëdhëniet dhe lidhjet e forta që SHBA-ja ka me Kosovën dhe popullin e saj duke theksuar se do të vazhdojë të punojë për zhvillimin e lirisë dhe demokracisë në këtë shtet.
Ai po ashtu tha se presidenti Thaçi, kryeministri dhe të gjithë udhëheqësit e Kosovës do ta kenë ndihmën e SHBA-ve edhe në të ardhmen.
Duke komentuar mbi ftesën e Kryeministrit Haradinaj për angazhimin e SHBA-ve në mënyrë aktive në dialogun Kosovë-Serbi, Engel premtoi se do të mundohet që SHBA-ja ta ketë një përfshirje të sigurtë në Ballkan dhe Kosovë.
“Mendoj se këto takime janë shumë të rëndësishme, por nuk kanë rëndësi nëse mbeten vetëm si takime. Duhet të kemi një afat kohor që ky vend të ecë përpara për të hyrë në BE dhe evetnualisht në NATO. Duhet ta dini se SHBA-të kanë një zë dhe unë do të bëjë krejt çfarë mundem për t’i shtyrë këto gjëra sepse është e duhura dhe e drejta”, tha kongresmeni amerikan.
Ndërsa, sa i përket çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, Engel tha se kjo çështje duhet të zgjidhet sa më shpejtë.
“Mendoj se demarkacioni është një çështje e rëndësishme dhe është një nga çështjet që duhet të zgjidhet. Sa më shpejtë që zgjidhet aq më mirë do të jetë. Nuk është e vetmja, ka edhe shumë çështje të tjera. Jam kundër mbajtjes peng të Kosovës për shkak të kësaj çështjeje por megjithatë duhet të zgjidhet”, tha Engel./Rtv Islam/