Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se do të shprehë shqetësimet e Ankarasë lidhur me anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake, në samitin e NATO-s në Lituani, javën e ardhshme.
“Si mund të kontribuojë në NATO një shtet që nuk distancohet nga grupet terroriste?”, tha Erdogan duke iu referuar Suedisë.
Turqia akuzon Suedinë për mbështetjen e grupeve të konsideruara nga Ankaraja, si terroristë, kryesisht duke iu referuar kryengritësve të ndaluar të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) që luftojnë për autonomi në juglindje të Turqisë.
Erdogan tha se do të ngrejë shqetësimet e tij me liderët e aleancës në Vilnius, duke akuzuar më tej Stokholmin se ka lejuar “terroristët” të veprojnë në tokën e tyre.
Rruga e trazuar e Suedisë drejt pranimit në NATO nuk është e vetmja temë kyçe në rendin e ditës në samitin dyditor të javës së ardhshme, që do të nisë të martën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky gjithashtu do të marrë pjesë në takimin e NATO-s duke bërë thirrje që Ukraina të pranohet në aleancë.
Megjithatë, sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg dhe anëtarët e tjerë të NATO-s nuk i dhanë mbështetjen e plotë Ukrainës për t’iu bashkuar menjëherë aleancës.
“Udhëheqësit e NATO-s do të bien dakord, javën e ardhshme për një paketë të mbështetjes për Ukrainën”, tha dje Stoltenberg në Bruksel.
“Ne do ta bëjmë Ukrainën edhe më të fortë dhe do të vendosim një vizion për të ardhmen e saj”, tha ai.
Mbështetja afatgjatë përfshin një program shumëvjeçar të ndihmës, lidhje më të forta politike me Kievin dhe një rikonfirmim të premtimit të gjatë të NATO-s për të pranuar Ukrainën në aleancë.
Shtetet e NATO-s ranë dakord në vitin 2008 që Ukraina të bëhej anëtare.
Megjithatë, aleanca, në përgjithësi, përjashton pranimin e një vendi me një mosmarrëveshje territoriale të vazhdueshme.


