
Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, po përballet me humbjen e kontrollit në qytetet kryesore të vendit, Ankara dhe Stamboll.
Rezultatet paraprake tregojnë edhe se opozita kryeson ndaj partisë AKP në Stamboll, qytetin më të madh të vendit, ndërsa në Ankara, Aleanca Popullore mori më shumë se 50 për qind të votave, kundrejt AKP-së së Erdoganit që mori 47 përqind.
Kjo është hera e parë në 25 vite që AKP-ja humbet kontrollin e kryeqytetit.
Erdogan, që i kishte cilësuar zgjedhjet e së dielës, një çështje mbijetese kombëtare tha në një fjalim para mbështetësve të hënën, se do të përveshë mëngët për të korrigjuar gabimet.
“Njerëzit që bënë premtime të rreme, le të vazhdojnë. Ne do të shohim se si do të qeverisin ata. Ne do të vazhdojmë në rrugën tonë duke mësuar nga gabimet e bëra në këto zgjedhje”, tha Erdogan.
Rezultati në Stamboll ka rëndësi të veçantë pasi Erdogan e ka nisur atje karrierën e tij politike, si kryebashkiak në vitet 90. Veç të tjerash atje ai kandidoi me një emër të rëndësishëm, atë të ish kryeministrit Benali Yildirim. /Mesazhi/


