Ky vlerësim i kreut të shtetit turk erdhi gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët e pranishëm në avionin presidencial, në kthim nga kontaktet në Azerbajxhan.
Ai theksoi se po tregohet kujdes maksimal për të mos dëmtuar civilët në operacionin “Burimi i Paqes”, të cilin Forcat Armatosura të Turqisë janë duke realizuar në lindje të lumit Eufrat, në Siri.
“Ne e kemi bërë dhe po e bëjmë operacionin tonë plotësisht kundër organizatave terroriste që kemi përballë”, u shpreh lideri turk.
“Qëllimi i operacionit «Burimi i Paqes» është i qartë; të pastrojmë kufijtë tanë nga çdolloj elementi terrorist dhe të mundësojmë kthimin e sigurt të refugjatëve në shtëpitë e tyre. Madje dhe kjo në bazë të zgjedhjeve të tyre. Operacioni do të vijojë derisa të arrihen objektivat”, shtoi Erdogani.
Pasi tërhoqi vëmendjen se organizata separatiste terroriste PKK/PYD/YPG vepronte bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri pak kohë më parë, ndërsa tani po kërkon rrugët e marrëveshjes me regjimin (sirian); presidenti turk vijoi me këto fjalë: “Duke qenë kështu, unë kam disa pyetje për shtetet perëndimore. Kush është aleati juaj i vërtetë? Vallë është Turqia, PYD/YPG-ja apo DAESH-i? Këta (PYD/YPG) janë ata që nxorën anëtarët e DAESH-it nga burgu (në Siri), ndërsa ju jeni ata që nuk ngrini zërin për këtë!”
I pyetur nëse Trumpi kërkon që Turqia të marrë në dorëzim anëtarët e DAESH-it (të arrestuar në Siri), Erdogani u përgjigj me këto fjalë: “Burgjet ku janë këta anëtarë të DAESH-it, nuk ndodhen vetëm në Raqqa. Ka edhe në anën veriore. Këta i marrim në dorëzim. Vendet ku ata mbahen, është e vështirë të quhen burgje. Luftëtarët e huaj i dërgojmë në vendet e tyre. Ata do të shqetësohen. Franca do të thotë «mos i dërgoni»; Gjermani po ashtu do të thotë «mos i dërgoni». Pastaj ne do të kalojmë në gjykimin e këtyre në gjykatat që do të themelojmë nëpër burgje. Për ata jashtë kufijve në fjalë le të mendojë SHBA-ja.”
Lideri turk nënvizoi gjithashtu se po bisedojnë me SHBA-në dhe Rusinë për të koordinuar zhvillimet në terren.
“Parmbrëmë bisedova në telefon me z. Donald Trump. Ndërsa përpara tij fola në telefon edhe me Macronin. Propozimit të SHBA-së, e cila sugjeron që ne të shpallim armëpushim dhe ajo ndërmjetësojë për negociata, unë iu përgjigja kështu: «Ne s’ulemi në tavolinë me një organizatë terroriste. Me thënë të vërtetën, mua nuk më duket kurrsesi e drejtë – si në aspektin e ligjit të luftës ashtu edhe në atë të shkencave politike – që një vend si SHBA-ja të hyjë në mesin e një organizate terroriste dhe një aleati si Shteti i Republikës së Turqisë.» Këtë gjë ia thash edhe z. Trump”, bëri me dije Presidenti Erdogan.