Erdogan: Turqia synon rritjen e bashkëpunimit me BRICS

Mos i humb

Turqia e konsideron Samitin e Dhjetë të Vendeve BRICS si një mundësi për të zhvilluar bashkëpunim në fushën e ekonomisë, investimeve dhe zhvillimit, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

“Ne dëshirojmë t’i përfundojmë negociatat e anëtarësimit midis Ministrisë sonë të Thesarit dhe Financave dhe bankës së re zhvillimore të BRICS në një periudhë afatshkurtër”, tha Erdogan në samitin e mbajtur në Johanesburg të Afrikës së Jugut .

Presidenti turk tha se vendi i tij gjithashtu synon të çojë përpara bashkëpunimin me BRICS në fushën e energjisë.

Ai tha se Turqia dhe BRICS mund të zhvillojnë bashkëpunim të bazuar në institucione.

“Sistemi aktual nuk është i kënaqshëm për askënd, përveç të paktëve që janë të privilegjuar, interesat e të cilëve janë të garantuara”, theksoi ai.

Ai nënvizoi se bota po përballet me një “periudhë të trazuar” pasi kriza ekonomike po përsëritet në çdo dhjetë vite dhe njerëzit kanë dëshmuar luftëra, akte terroriste dhe sëmundje.

“Nuk është e mundur që kjo strukturë të mbetet e pandryshuar”, shtoi Erdogan.

Ai nënvizoi se ekziston nevoja për të rritur bashkëpunimin midis Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe BRICS dhe se ata mund të përfitojnë nga proceset e bashkëpunimit për një “botë më të drejtë”.

“Unë shoh një përfitim në vlerësimin e mundësive të bashkëpunimit midis Bankës Islame Zhvillimore dhe bankës së re zhvillimore të BRICS për mbështetjen e përpjekjeve për zhvillim në Afrikë,” shtoi ai.

Erdogan po ashtu vuri në dukje se Turqia është ndër vendet kryesore në fushën e ndihmave zyrtare për zhvillim.

“Vitin e kaluar, Turqia u radhit ndër vendet e para me ndihma zhvillimore me 8,2 miliardë dollarë. Turqia u rendit e para edhe në fushën e ndihmave humanitare në vitin 2017”, theksoi ai.

Turqia strehon rreth katër milionë njerëz të zhvendosur, kryesisht nga Siria dhe Iraku, ndërkohë që disa vende perëndimore ndëshkojnë refugjatët duke instaluar telat me gjemba në kufij, tha presidenti turk.

Ai njoftoi se Turqia deri më tani ka shpenzuar 32 miliardë dollarë për refugjatët.

Erdogan më tej tha se investimet direkt të Turqisë në Afrikë kanë arritur në mbi gjashtë miliardë dollarë.

Ndryshe, Samiti i Dhjetë i Vendeve BRICS, i organizuar nga Afrika e Jugut në kryeqendrën financiare Johanesburg, filloi të mërkurën dhe zgjati deri më sot.

Grupi BRICS, i përbërë nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, është themeluar në vitin 2006 për të rritur bashkëpunimin mes vendeve anëtare dhe vendeve të tjera në zhvillim./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit