Fakultetet për Siguri nga Maqedonia dhe Kosova marrëveshje bashkëpunimi

Mos i humb

Fakulteti për Siguri në Shkup dhe Akademia kosovare për Siguri Publike nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, me anë të të cilës synojnë të krijojnë forma të reja afatgjate të luftës së përbashkët kundër krimit.
Dekani i Fakultetit të Sigurisë, Nikolla Dujovski, në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, tha se e njëjta do të krijojë hapësira të reja për profesorët dhe studentët në krijimin e formave të reja në luftën kundër krimit, që mund të arrihet vetëm përmes krijimit të besimit dhe partneritetit të ndërsjellë.

Dujoski tha më tej se bashkëpunimi mes dy institucioneve bëhet tashmë për tetë vite, duke shtuar se nënshkrimi i sotëm paraqet vetëm një formalizim të tij.

“Sot po bëjmë nënshkrimin në mënyrë që edhe në mënyrë institucionale të bëhemi partnerë në kontekst të integrimeve evropiane. Secili shtet mund të bëjë shumë për veten, mirëpo të gjithë ne të këtij rajoni, të bashkuar mund të bëjmë akoma më shumë për të mirën e qytetarëve tanë”, tha Dujovski sipas të cilit kjo marrëveshje hap horizonte të reja të diturisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë për Siguri Publike, Ismail Smakiqi, tha se institucionet e Ballkanit që merren me arsim të lartë, tashmë janë pjesë e rrjeteve evropiane për arsim të lartë në Evropë, për të shtuar se nënshkrimi i sotëm paraqet një formalizim të bashkëpunimit.

“Sot po nënshkruajmë marrëveshjen me Fakultetin e Sigurisë i cili feston 40-vjetorin, prandaj falënderoj dekanin për mundësinë që ne të nënshkruajmë këtë marrëveshje bashkëpunimi”, tha Smakiqi.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa i cili tha se Maqedonia dhe Kosova kanë shumë çështje që prekin interesin e përbashkët, prandaj “duke bashkëpunuar mund të bëjnë shumë për sigurinë në qytetarëve tanë.”

Njëra nga pikat e marrëveshjes është edhe këmbimi i studentëve dhe profesorëve të cilët do të ligjërojnë në fakultetet respektive, por edhe këmbimi i njohurive profesionale dhe shkencore si dhe organizimi i aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe shkencore, siç janë seminare, simpoziume, konferenca, shkëmbim të publikimeve dhe materialeve të tjera me interes të përbashkët./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit