Fatmir Limaj: Edhe optimistët më të mëdhenj nuk kanë pritur një rezultat kaq të madh të Nismës Socialdemokrate

Mos i humb

Në shënimin e katër vjetorit të Nismës Socialdemokrate në Prizren, kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj ka theksuar se ajo që ka ndodhur para dy ditëve në vendin tonë, nuk do të përmbyllet vetëm më shkarkime, por do të hetohet deri në fund.

Duke folur për Nismën, Limaj pohoi se vlera mbi të cilën është ndërtuar Nisma ka të bëjë me besimin në punë të mira dhe po ashtu po ndërtojnë një parti politike që bashkon njerëzit, duke garuar me energji pozitive dhe është partia e vetme që e mban fjalën.

Ai po ashtu njoftoi se Nisma tani i ka mbi 250 zyrtarë shtetëror në gjithë Kosovën, në nivelin lokal dhe qendror.

Limaj: Edhe optimistët më të mëdhenj nuk kanë pritur një rezultat kaq të madh të Nismës

“Ka pasur shumë skeptik, që pyetnin se kah do të lëvizë kjo parti politike. Ne e dimë që nuk është lehtë në rrethanat e Kosovës një frymë e tillë politike, me një vizion të qartë të veprojë e të angazhohet. Por fal vendosmërisë tonë, besimit tonë, rrugës tonë, nevojës së vendit tonë, ja ku jemi sot. Edhe optimistët më të mëdhenj nuk kanë pritur një rezultat kaq të madh të Nismës Socialdemokrate”, tha Limaj.

Limaj në shënimin e katër vjetorit ka folur edhe rreth zhvillimeve politike që po kalon vendi ynë, duke pohuar se zhvillimet e fundit e kanë argumentuar atë që kanë thënë vazhdimisht, se segmentet e caktuara të sistemit të Kosovës nuk janë duke funksionuar si duhet.

Limaj: Ajo që ka ndodhur para dy ditëve, nuk do të përmbyllet vetëm më shkarkime

“Ne të gjithë jemi dëshmitarë në ditët e fundit me veprimin që ka ndodhur, sidomos me depërtimin e gjashtë qytetarëve, të cilët kanë pas leje qëndrimi në Kosovë, dhe depërtimi i tyre nga Kosova i ka shpërfaqur mesë shumti defektet serioze që ekzistojnë në segmente të caktuara të shtetit tonë. Dhe kjo që ka ndodhur para dy ditëve, e tregon edhe njëherë atë që kemi thënë se ka segmente të shtetit tonë të cilat duhet të shikojnë mirë, duhet të lirohen nga agjendat e panjohura, të dyshimta, të cilat nuk janë në shërbim të vendit. Ajo që ka ndodhur para dy ditëve në vendin tonë, nuk do të përmbyllet vetëm më shkarkime, ne nuk do të ndalemi, do të shkojmë e do të hetojmë deri në fund përgjegjësitë pse ka ndodhur. Dhe më asnjë herë në Republikën tonë, nuk guxojnë të ndodhin veprime të tilla për agjenda të dyshimta individuale, që nuk janë në shërbim të Kosovës dhe nuk janë të urdhëruar nga shteti i Kosovës, dhe nuk përfaqëson interesin e shtetit të Kosovës”, tha Limaj.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi ka theksuar se të gjitha zhvillimet dhe jo zhvillimet e katër viteve të fundit, në mënyrë të veçantë, zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rreth Kosovës, e kanë dëshmuar dhe arsyetuar arsyen e formimit të Nismës Socialdemokrate.

Krasniqi: Nisma do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve

“Nisma Socialdemokrate me politikat e saj është dhe do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve që kanë nevojë për ndihmën e politikës së Kosovës, të gjithë qytetarëve që u duhet një arsim më cilësor, të gjithë qytetarëve që u duhet një drejtësi sociale dhe të gjithë atyre që u duhet një solidaritet shoqëror”, tha Krasniqi.

Deputeti i kësaj partie dhe kryetari i degës së Nismës për Prizren, Zafir Berisha theksoi se kur kanë nisur rrugëtimin në Kosovë e në Prizren, ka pasur të tillë që kanë qenë skeptik, mirëpo vizioni i tyre socialdemokrat shpejt ka depërtuar te çdo qytetar në Kosovë dhe Prizren.

Berisha: Përbëhemi nga njerëz më përvojë

“Në shikim të jashtëm, duket që jemi një subjekt i ri, por në fakt, në rast se jemi një sigël e re, përbëhemi nga njerëz më përvojë, nga njerëzit e dëshmuar në politikë dhe në rrethana tjera nëpër të cilën ka kaluar Kosova. Më përgjegjësi më të madh e them se përfaqësoj subjektin me serioz politik, në qytetin e dytë të Kosovës, në Prizren”, tha Berisha. /kp/.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit