Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit kanë akuzuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), se nuk janë duke punuar në shkeljet që janë duke u bërë në sektorin e qumështit tash e shumë vite.
Përmes një komunikate për media ata e kanë njoftuar Qeverinë e Kosovës për rënien e prodhimit të qumështit dhe mbylljen e fermave në vend.
“E bëjmë me dije Qeverinë e Kosovës dhe opinionin e gjerë se në vazhdimësi ka rënie të prodhimtarisë vendore të qumështit dhe mbyllje të fermave, për shkak të konkurrencës së padrejtë që na është bërë nga produktet me vaj palme dhe përbërës të tjerë që përveç rrezikshmërisë ekonomike kanë edhe rrezikshmëri shëndetësore”, thuhet në komunikatën e shoqatës së fermerëve.
Po ashtu ata kanë theksuar se në krahasim me vitin 2014 në Kosovë është duke u prodhuar 20 milionë litra më pak qumësht. Me ç’rast shoqata i ka bërë thirrje Qeverisë se sa më shpejt të marr masa në drejtim të funksionimit të AUV-së.
“Duhet të kihet parasysh se 2500 fermerë kosovarë nënkuptojnë 2500 familje kosovare dhe disa mijëra kosovarë të tjerë të punësuar në këto ferma. Andaj mos funksionalizimi i AUV-së rrezikon mbylljen e mëtejshme të fermave tona dhe ekzistencën e mijëra të punësuarve në to” , thuhet në fund të komunikatës./Kosova Post/



