Policia e Shtetit ka finalizuar dy operacione antidrogë, një në Krujë dhe një në Kavajë.
Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, ”Komisariati i Policisë Krujë, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Territor i pastër”, ka finalizuar operacionin e koduar “Cover”. Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit H. K., 62 vjeç, dhe A. K., 32 vjeç, (babë e bir), të dy banues në Krujë”.
Sipas policisë, “këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë kultivuar dhe kanë përshtatur disa vende të tjera, për kultivimin e bimëve narkotike, në fshatin Brret. Gjatë kontrollit në një pjesë të pyllëzuar të fshatit Brret, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 30 bimë të dyshuara narkotike cannabis.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1060 fara të dyshuara narkotike kanabisi”, thuhet në njoftim.
Policia e Durrësit nga krahut tjetër njofton se ka arrestuar pronarin e një berberhane dhe 1 shtetas tjetër.
“Pas një hetimi të kryer nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, në kuadër të megaoperacionit kombëtar antidrogë të koduar “Tempulli”, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit Xh. Ll., 28 vjeç dhe M. S., 28 vjeç, të dy banues në Kavajë. Në subjektin (berberhane) në pronësi të shtetasit Xh. Ll., shërbimet e Policisë gjetën një sasi kokaine, të ndarë në dhjetëra doza, me qëllim shitjen, si dhe 1 peshore elektronike që shërbente për këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, përfundon njoftimi.


