Në Francë dje ka arritur aeroplani që transportonte 250 francezë dhe shtetas tjerë nga qyteti Wuhan i Kinës, që është epiqendra e koronavirusit të ri.
Aeroplani Airbus A380 arriti në orën 14:30 sipas kohës lokale në bazën ushtarake Istres në rajonin jugor të Francës Bouches-du-Rhone, në afërsi të qytetit Marseille. Aeroplani i parë francez arriti të premten.
Në aeroplan kishte shtetas nga 30 vende, ndërsa disa prej 65 shtetasve francezë do të karantinohen në qytetin bregdetar Carry-le-Rouet afër qytetit Marseille. Pjesa tjetër do të karantinohet në një qendër trajnimi të zjarrfikësve pranë Aix-en-Provence.
Rreth 180 persona nga ata që u kthyen me fluturimin e parë të premten janë veçse në karantinë në Carry-le-Rouet. Komuna publikoi një kumtesë duke siguruar se “në këtë fazë, asnjë nga njerëzit e izoluar nuk ka simptoma”.
Të evakuuarit e tjerë po udhëtojnë për në shtetet e tyre të origjinës.
Sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab, përmes një postimi në rrjetet sociale falënderoi Francën dhe Kinën për sjelljen e shtetasve britanikë në shtëpi.
Zhvillimet e fundit vijnë pasi të premten koronavirusi u shpall një urgjencë globale shëndetësore nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Ka gjithsej 23 raste të raportuara të koronavirusit në Evropë, përfshirë gjashtë në Francë. Në të gjithë botën, janë raportuar mbi 17.200 raste, kryesisht në Kinë, si dhe 362 vdekje. Rasti i parë i vdekjes jashtë Kinës ndodhi pasditen e së dielës në Filipine, ku bëhej fjalë për një shtetas kinez 44-vjeçar nga qyteti Wuhan.
Gjermania ka raportuar për tetë raste, ndërsa Italia, Britania dhe Rusia ka raportuar për dy raste. Finlanda, Spanja dhe Suedia kanë raportuar nga një rast.


