Francë, policët akuzohen për vdekjen e Cedric Chouviat

Mos i humb

Tre oficerë policie u akuzuan për vrasje pa paramendim në një gjykatë franceze për vdekjen e Cedric Chouviat, një shofer në një kompani i cili u ndalua pranë Kullës Eiffel në janar për një shkelje të thjeshtë trafiku.

42-vjeçari Chouviat, me prejardhje nga Afrika e Veriut, vdiq dy ditë më vonë në një spital më 3 janar. Shkaku i vdekjes u përcaktua të jetë asfiksimi.

Një oficer i katërt është ende nën hetim, por të gjithë oficerët e përfshirë në këtë rast kanë mbetur në detyrë gjatë hetimit, ndërsa hetimi zyrtar për vrasjen u hap në qershor.

Rasti ka ngjallur zemërim dhe ka shkaktuar demonstrata të shumta në të gjithë Francën, në vazhdën e rrethanave të ngjashme gjatë vdekjes së George Floyd në mars nga policia në qytetin amerikan të Minneapolis, Minnesota.

Dëshmitarët njoftuan se Chouviat ishte mbajtur poshtë duke i vendosur gjunjin në qafë për të paktën 20 sekonda nga të paktën një oficer, ndërsa ai shtatë herë është shprehur se “jam duke u mbytur”. Ngjarja u filmua nga një oficer, një kalimtar dhe nga vetë Chouviat.

Radio France International njoftoi se përkundër ndjenjës së lehtësimit të familjes Chouviat, ata mendojnë se akuza është shumë e butë për veprimet e kryera nga oficerët.

Familja mbajti një konferencë për media më 23 qershor, duke iu drejtuar drejtpërdrejt presidentit Emmanuel Macron e duke thënë: “Ne duam përgjigje”.

Ata gjithashtu iu drejtuan ministrit të Brendshëm Gerald Darmanin, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të oficerëve.

Gjatë një fjalimi televiziv në qershor, ish-ministri i Brendshëm Christophe Castaner shprehu mbështetje për të frenuar brutalitetin e policisë. Ai më parë kishte ndaluar me ligj vendosjen e gjunjit në qafë, si dhe praktikën e mësimit të tij në akademitë e policisë dhe shkollat e xhandarmërisë.

Nga ana e organeve të zbatimit të ligjit, teknika konsiderohet si një nga metodat e vetme që me të vërtetë mund të ndalojë dhe përmbajë një të dyshuar që është jashtë kontrollit ose që është shumë i fuqishëm. Megjithatë, përdorimi i saj i diskutueshëm nga policia, ka çuar në vdekje në disa shtete.

Ministri Castaner u përball me reagim nga policia në të gjithë Francën, ku oficerët e policisë mbanin demonstrata të shumta muajin e kaluar kundër mungesës së mbështetjes nga ministri.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit