Italia nuk bindet nga premtimet gjermane për emigracionin. Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer shprehu besimin se Berlini dhe Roma do të arrijnë brenda fundit të korrikut një marrëveshje mbi kthimin e azilkërkuesve.
Pas takimit me Seehoferin në Austri, përpara një samiti jozyrtar të ministrave të Brendshëm të BE-së, Matteo Salvini u shpreh se të dy kishin disa objektiva të përbashkëta, siç janë më pak zbarkime, më pak vdekje dhe më pak emigrantë në Itali e Gjermani.
“Por, përpara se të pranojmë qoftë edhe një azilkërkues të vetëm në Itali, ne duam që Europa të mbrojë kufijtë e saj të jashtëm”, deklaroi Salvini. “Kur një gjë e tillë të bëhet realitet, atëherë mund të flasim për të tjerat”, shtoi ai.
Me pak fjalë, Roma kërkon në fillim veprime konkrete, e nuk mjaftohet vetëm me zotimet në letër.
Udhëheqësi i “Lega Nord” njihet për deklaratat e forta mbi emigracionin, që përfshijnë edhe etiketimin e të ardhurve si kontrabandistë, persona skllavërues dhe terroristë.
Seehoferi, nga ana tjetër, është ndeshur me kritika për retorikën e përflakur kundër emigrantëve. Jo më larg se të mërkurën, ndërsa festonte 69-vjetorin e lindjes, ai tha me krenari se 69 refugjatë po deportoheshin atë ditë në Afganistan.
Njëri prej tyre, 23-vjeçari Jamal Nasser Mahmoudi vrau veten në Kabul, pak pas mbërritjes. Ai kishte jetuar në Gjermani për 8 vite.
Top Channel