Gjobë kush s’paguan tatim-fitimin. 25 mijë biznese afat deri në 30 mars për pagesën

Mos i humb

Bizneset të cilat janë subjekt i tatim-fitimit kanë afat deri në datën 30 mars për të paguar detyrimin e tremujorit të parë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka bërë thirrje ndërmarrjeve të deklarojnë dhe paguajnë taksën brenda afatit të parashikuar nga ligji, në të kundërtën do të ndëshkohen me gjobë në masën 10% të detyrimit që kanë për të paguar.

Aktualisht në Shqipëri janë rreth 25 mijë biznese, të cilat paguajnë tatim mbi fitimin. Skema e taksimit është progresiv me tre fasha dhe mbi xhiron e biznesit. Për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë në vit, tatim-fitimi është zero ndaj kjo kategori ndërmarrjesh nuk ka detyrim për të deklaruar.

Për bizneset me xhiro nga 5 deri në 14 milionë lekë në vit tatim-fitimi është 5%, ndërsa për ndërmarrjet që kanë një qarkullim vjetor më të lartë se 14 milionë lekë, taksa është 15% e fitimit.

Ky është viti i parë që biznesi e paguan tatim-fitimin, sipas kësaj skeme. Deri vitin e kaluar, tatim-fitimi paguhej 15% nga të gjitha bizneset me xhiro mbi 8 milionë lekë në vit. Por, me paketën e re fiskale, qeveria e rriti kufirin në 14 milionë lekë duke ulur taksën për rreth 11 mijë subjekte.

Vitin e kaluar, buxheti i shtetit arkëtoi rreth 275 milionë euro të ardhura nga tatimi mbi fitimin, pjesa dërrmuese e të cilave vijnë nga biznesi i madh.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit