Gjukanoviç: Maqedoninë e Veriut e trajtojmë si pjesë të NATO-s

Mos i humb

Shkup

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, i cili qëndron për vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut, është pritur nga homologu i tij Stevo Pendarovski.

Pas takimit dypalësh dhe takimit të delegacioneve nga të dyja shtetet, dy presidentët kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, ku kanë theksuar marrëdhëniet e mira mes shteteve.

Pendarovski tha se kjo është vizita e parë e një presidenti të huaj që nga fillimi i mandatit të tij. Ai theksoi se me presidentin Gjukanoviç kanë konstatuar se dy shtetet ndajnë prioritete dhe qëllime të njëjta në politikën e jashtme.

“Dy shtetet tona i ndërlidh e kaluara e përbashkët, por edhe më tepër e ardhmja e përbashkët, udhëheqja e shteteve tona në rrugën drejt paqes dhe prosperitetit drejt Evropës së bashkuar. Si shtet posaqërisht e vlerësojmë mbështetjen e qartë dhe pa mëdyshje të Malit të Zi në realizimin e qëllimeve tona të larta strategjike, anëtarësimin në NATO dhe BE”, tha Pendarovski.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski tha se mes dy shteteve nuk ka çështje të hapura si dhe rikujtoi se Mali i Zi ishte ndër shtetet e para që ratifikoi protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Presidenti i Malit të Zi, Gjukanoviç, tha se nuk është e rastësishme që ai është lideri i parë që viziton vendin pas zgjedhjes së Pendarovskit, duke theksuar se kjo buron nga mirëbesimi mes dy shteteve.

Ai tha se marrëdhëniet e mira datojnë nga koha e ish Jugosllavisë, duke theksuar se nuk do të ketë stabilitet në rajon pa integrim të plotë në NATO dhe BE.

“Si një njeri që ka udhëhequr shtetin e tij në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe që e njeh mirë këtë fazë, me të vërtetë mund të them me siguri se ne jo vetëm në mënyrë miqësore, por edhe realisht Maqedoninë e Veriut e trajtojmë si pjesë të NATO-s, por kuptoheht se ne e dimë se duhet të përfundohet me saktësi të përkryer edhe ajo që ka mbetur”, tha Gjukanoviç.

Dy presidentët vlerësuan bashkëpunimin në sferën ushtarake, kulturore, duke shtuar se ka potencial për përmirësim të bashkëpunimit ekonomik.

Pendarovski dhe Gjukanoviç u pyetën edhe për vizitën e paralajmëruar në rajon të Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Mike Pompeo, ku ata u shprehën të lumtur që kjo vizitë nuk ndodh në kohë krize, siç ka ndodhur më herët. Sipas tyre, kjo konfirmon praninë e shtuar të SHBA-ve në rajon.

Në kuadër të vizitës, është paraparë që Gjukanoviç të realizojë takime edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi si dhe me kryeministrin Zoran Zaev.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit