Partia Demokratike e Kosovës është vendosur sërish para hyrjes së objektit të Qeverisë, duke kërkuar thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit dhe vijimin e procesit për formimin e institucioneve të Kosovës.
Deputetët e PDK-së kanë deklaruar se kërkesa e tyre mbetet e njëjtë: të mos bllokohet formimi i institucioneve të reja.
Nga selia e Qeverisë, deputetët e PDK-së kanë deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ndodhet në vendin e tij të punës. Pas qëndrimit para Qeverisë, ata kanë njoftuar se do të zhvendosen në Kuvend për të vijuar me kërkesat e tyre.
Ndërkohë, PDK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për vazhdimin e seancës konstituive.
“Ne sapo kemi dorëzuar kërkesën në drejtim të kryesuesit të seancës, Avni Deharit, për vazhdim të seancës konstituive për ditën e nesërme, më 14 gusht”, tha deputeti i PDK-së, Përparim Gruda.
Gruda i bëri gjithashtu thirrje deputetit Albin Kurti që të lejojë Avni Deharin të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive.


