Grupi i deputetëve të Partisë Socialiste, anëtarë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit, priti ditën e sotme një delegacion deputetësh nga Parlamenti Evropian në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë.
Takimi u përqendrua në disa çështje kyçe si sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit, liria e medias dhe zgjedhjet, zhvillimi ekonomik dhe turizmi, si dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal
Kryetari i grupit parlamentar të PS, Niko Peleshi, në emër të grupit parlamentar, vlerësoi rolin e Kuvendit dhe të këtij komiteti në promovimin dhe monitorimin e reformave për avancimin e Shqipërisë drejt standardeve evropiane.
Ai theksoi rëndësinë historike të këtij momenti në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, si rezultat i angazhimit serioz të Shqipërisë në reformat evropiane.
“Hapja e kapitujve është një arritje e madhe, duke shënuar një gurthemeli historik në rrugëtimin tonë drejt ribashkimit të plotë evropian. Çdo sukses në këtë proces është një hap përpara jo vetëm për ne, por për të gjithë rajonin,” u shpreh Peleshi.
Ai theksoi se, përparimi i Shqipërisë përfshin, por nuk ndalet vetëm te përmirësimi i legjislacionit, duke përfshirë forcimin e të drejtave të njeriut dhe reformat në administratën publike, të cilat janë thelbësore për axhendën evropiane.
Në këtë takim, kreu i grupit parlamentar socialist konfirmoi angazhimin e Partisë Socialiste për të bërë çdo përpjekje të mundshme në ndjekjen e axhendës së reformave evropiane.
Në përfundim, Peleshi falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin e Shqipërisë drejt procesit të integrimit, duke e cilësuar si një element kyç për të ndërtuar një të ardhme evropiane të qëndrueshme dhe prosperuese.