Pas nënshkrimit të Memorandumit, kryeministri Haradinaj dhe ambasadori O’Connell u prononcuan për mediet e pranishme.
Kryeministri Haradinaj me këtë rast tha se po vazhdohet partneriteti me Britaninë e Madhe, si shtet mik i Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme të saj, tani edhe duke përkrahur objektiven e kësaj Qeverie për fuqizimin e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies në institucionet publike.
“Përmes një partneri implementues britanik, ambasada ka ndihmuar në kthimin e besimit në organet publike, por edhe rekrutimin në pozita të larta të shërbimit civil – duke parandaluar nepotizmin dhe duke konsoliduar transparencën, meritokracinë dhe qeverisjen e mirë”, tha kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar se deri më tani janë gjithsej 21 pozita të larta drejtuese të realizuara përmes partneritetit me Ambasadën Britanike për dy vitet e fundit.
Kryeministri Haradinaj tha se ky proces do të vazhdojë edhe më tutje me listën e re me gjithsej 22 pozita, të cilat do të realizohen në periudhën e ardhshme.
“Jemi me fat që ekspertizën shumëvjeçare britanike e kemi dhuratë dhe këtë duhet ta çmojmë dhe nderojmë me punë të mirë dhe të ndershme. Vetëm në këtë mënyrë nderojmë veten, atdheun dhe miqtë e vjetër të Kosovës, siç është Britania e Madhe”, tha kryeministri Haradinaj./Kosova Post/