Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk ka pranuar ndonjë kërkesë të Serbisë për t’u involvuar në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviçit, derisa ka komentuar edhe adresimin e Serbisë ndaj misioneve ndërkombëtare në Kosovë rreth vrasjes së Ivanoviçit. Ai tha se për këtë gjë, nuk janë ata që vendosin pasi juridiksionin për hetime e ka Kosova.
“Juridiksionin për hetime e ka Kosova. Për kërkesat drejt EULEX-it dhe UNMIK-ut, ata s’kanë të drejtë të japin autorizim të tillë. Të vetmet që duhet të japin autorizim, janë institucionet e Kosovës. Te Kosova nuk është dorëzua një kërkesë e tillë”, është shprehur Haradinaj në një konferencë për media.
Kryeministri sqaroi se kërkesa e Serbisë ka të bëjë me këmbimin e informacioneve, gjë që sipas kryeministrit i konvenon edhe Kosovës.
“Është dorëzu një kërkesë për këmbim të informatave, çka edhe për ne është e mirë. Pra, Kosova s’ka marrë kërkesë për involvim në hetime në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.
Përfshirjen e Serbisë në hetimin për vrasjen e Oliver Ivanoviçit e ka kërkuar së pari presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili tha se nuk u beson autoriteteve të Prishtinës./kosova Post/