Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) organizoi konferencën e lansimit kombëtar të Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0 të financuar nga Bashkimi Europian nëpërmjet Instrumentit Europian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut (EIDHR).
Drejtoresha e KOMF-it Donjeta Kelmendi tha se ky indeks i përgatitur nga KOMF-i synon të identifikojë boshllëqet midis politikës dhe implementimit të saj në sektorin e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë dhe jep rekomandime se si të rritet ofrimi i shërbimeve, kapaciteti institucional, koordinimi dhe llogaridhënia për të mbyllur hendekun midis politikës dhe zbatimit.
Kryeministri i Rrepublikës së Kosovës, Ramush Haradinaj i cili mbajti një fjalim në këtë konferencë tha se Kosova si shtet 18 vite më parë ka dalë nga lufta ku ka patur ndërprerje nëpër familje dhe kjo e ka bërë të pamundur vëmendjen e duhur për fëmijët.
Duke folur për rreziqet ndaj të cilave ekspozohen fëmijët në Kosovë, Haradinaj tha se qeveria ka shumë punë për ta parandaluar keqtrajtimin ose dhunën dhe dukuritë që pengojnë fëmijët në krijim normal të personalitetit të tyre.
“Ne kemi bërë disa përpjekje për t’i mbrojtur fëmijët nga ekspozimet e gabueshme si rasti i narkotikëve nëpër shkolla. Dëshirojë të falënderoj të gjithë që kanë qenë të kyçur, Policinë e Kosovës, personelin, edukatorët dhe prindërit. Mendoj se ka mbetur ende punë në këtë drejtim”, tha Haradinaj.
Ai poashtu bëri të ditur se është në hartim e sipër projekt-ligji për mbrojtjen e fëmijëve, strategjia dhe plani nacional i veprimit për të drejtat e fëmijëve.
Ndërsa, Luigi Brusa nga Zyra e BE-së në Kosovë tha se pjesëmarrja e kryeministrit të Kosovës në këtë ngjarje jep një sinjal të qartë se qeveria e Kosovës me të vërtetë kujdeset për fëmijët
“Jemi të dedikuar që të investojmë dhe të përcjellim tutje rininë dhe fëmijët në Kosovë në mënyra të ndryshme, me projekte të cilat zbatohen me ndihmën e shoqërisë civile por gjithashtu duke punuar drejtpërdrejt me qeverinë e Kosovës në fushën e arsimit, në infrastrukturë dhe në kopshtet e fëmijëve. Janë ndarë rreth 30 milionë euro përmes fondeve të IPA-s për vitin 2017-2018 për këto fusha”, tha Brusa.
Indeksi tregon se është një shkallë e lartë e varfërisë tek fëmijët pra rreth 20 për qind, ku 10.7 për qind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, ndërsa 6.8 për qind e tyre punojnë në kushte të rrezikshme./Rtv islam/