Haxhi i pranuar nuk ka shperblim tjetër për të veç xhenetit

Mos i humb

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se:

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Umra nga umra janë fshirje për mëkatet që bëhen midis tyre, ndërsa haxhi i pranuar nuk ka shperblim tjetër për të veç xhenetit.” Buhariu (1773) dhe Muslimi (1349)

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajttë!): Kjo është vlera e umrës dhe haxhit. Ai sal-lallahu alejhi ue sel-lem ka thënë “Umra nga umra janë fshirje për mëkatet që bëhen midis tyre.” Kjo tregon për vlerën e umrës. Dhe se ajo fshin mëkatet e vogla që bëhen mes saj dhe umrës tjetër. Ndërsa mëkatet e mëdha nuk fshihen veçse me pendim. Allahu Lartësuar thotë: “Në qoftë se ju u shmangeni gjynaheve të mëdha,[1] që ju ndalohen, Ne do t’jua falim të këqijat[2] dhe do t’ju fusim në një vend të nderuar.[3]” En-Nisa, 31

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sle-lem ka thënë: “Pesë kohët e namazit, xhumaja deri në xhuma, Ramazani deri në Ramazan i shlyejnë mëkatet e vogla që bëhen në ndërmjet tyre nëse iu largohesh mëkateve të mëdha.” Muslimi (233)

Në këtë hadith ka argument për kryerjen e shpeshtë të umrës qoftë dhe brenda një kohe të shkurtër. Bazuar në fjalën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Umra deri në umra” dhe ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk e ka kufizuar.

Disa dijetarë thonë: Duhet patjetër që në çdo vit të bëhet umra dhe mos të përsëritet (bëhet) brenda një viti disa herë.

Por e sakta është që ajo bëhet disa herë në vit, në muaj, në javë apo mesin çdo muaji (për atë që i ka mundësitë). E kjo nuk përbën problem, sepse i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk e ka kufizuar (kohën për bëjen e umrës).

Por, nuk bëhet ashtu siç veprojnë njerëzit sot të cilët kur vijnë në Meke dhe kryejnë umrën, dalin në “Et-Ten’im” (apo siç njihet me emrin Xhamia e Aishes) dhe kthehen përsëri për bërjen e umrës. Pastaj dalin përsëri dhe kthehen dhe bëjnë umrën. E kështu brenda një ditë kryejnë më shumë se një umra. Ky veprim nuk është legjitim. Ngase nuk transmetohet nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka dalur nga Meka për të kryer umrën. Po ashtu dhe shokët e tij nuk e kanë bërë një veprim të tillë.

Ai sal-lAllahu alejhi ue sle-lem tha: “ndërsa haxhi i pranuar nuk ka shperblim tjetër për të veç xhenetit.”

Dijetarët thonë se “El-Mebrur” është ai haxh në të cilin nuk ka gjynah. Siç ka thënë Allahu Lartësuar: “Kushdo që vendos të kryejë haxhin në këto muaj, të mos flasë turpshëm,[4] të mos bëjë shthurje[5] dhe të mos grindet[6] gjatë haxhit.[7]” El-Bekare, 197

“El-Mebrur” është ai haxh i pastër nga mëkatet.

Thuhet se: “El-Mebrur” është haxhi i pranuar te Allahu Lartmadhëruar.

Thuhet se: “El-Mebrur” është ai ku gjendja e personit pas kryerjes së haxhit është më e mirë se sa gjendja e tij para haxhit. Ky është haxhi “El-Mebrur”.

Sidoqoftë “El-Haxhul-Mebrur” –Allahu e di më së miri!- është ai haxh që kryet në formën legjitime me sinqeritet për fytyrën e Allahut si të gjitha veprat e tjera të mira. Duhet patjetër që të jetë i sinqertë për Fytyrën e Allahut.

Fjala e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “nuk ka shperblim tjetër për të veç xhenetit” kjo tregon për vlerën e haxhit të pranuar dhe se Allahu shpërblen për këtë me xhenet.

Kjo është mirësi madhështore -që tregon për vlerën e haxhit- dhe se njeriu duhet të përpiqet maksimalisht në haxhin e tij që ta kryej në formën legjitime dhe të jetë e sinqertë për Fytyrën e Allahut të Lartmadhëruar, duke mos pasur në të syefaqësi dhe famë, në mënyrë që të arrijë (fitojë) këtë premtim. E ai (premtim) është që personi të fitojë xhenetin. Dhe ai që fiton xhenetin ka arritur lumturinë e përjetshme.

Shkëputur me disa shkurtime nga “Tes’hilul ilmam bifik’hil ehadith min bulug el-meram” vëll. 3

Përktheu: Unejs Sheme

[1] Gjynahet e mëdha janë ato gjynahe për të cilat është caktuar dënim i prerë në këtë botë (el hudud: siç është dënimi i vrasjes, i imoralitetit, i pirjes së alkoolit, i shpifjes për të ndershmen, i daljes nga feja, i vjedhjes, etj.), ose ka ardhur kërcënim me dënim në botën tjetër, ose ka ardhur mohim i besimit nga vepryesi i tyre, ose vepruesit e të cilave janë mallkuar apo kanë tërhequr ndaj vetes zemërimin e Allahut.

Në largimin prej gjynaheve të mëdha përfshihet gjithashtu kryerja e detyrimeve fetare, si pesë namazet, agjërimi i Ramazanit, etj, lënësi i të cilave ka kryer gjynah të madh. Janë përcjellë disa hadithe ku përmenden gjynahet e mëdha, siç është idhujtaria, mosrespekti ndaj prindërve, dëshmia e rreme, vrasja, etj. Por ato hadithe nuk janë kufizuese të numrit të gjynaheve të mëdha, por shembuj prej tyre.

[2] Do t’jua falim të gjitha gjynahet e vogla dhe të këqiat që keni bërë në dynja.

[3] Ku gjenden të gjitha të mirat, që nuk i ka parë syri, nuk i ka dëgjuar veshi dhe nuk i ka kapur imagjinata: në xhenet.

[4] Origjina e fjalës “rafeth” ka kuptimin “fjalë e turpshme”, por ajo përdoret gjithashtu në mënyrë figurative për të treguar marrëdhëniet seksuale apo veprat a fjalët paraprake të tyre. Pra, nuk lejohet që gjatë haxhit të kryesh marrëdhënie intime me gruan, as t’i thuash asaj fjalë të turpshme, si: “Kur të lirohemi nga Ihrami pas haxhit, do të bëj kështu e kështu…”, dhe as nuk lejohen fjalët e turpshme në përgjithësi.

[5] Të gjitha llojet e gjynaheve, ku përfshihet edhe fyerja, ofendimi, shkelja e ndalesave të Ihramit, etj.

[6] Të mos bësh polemikë dhe të mos ngacmosh kënd duke e nxehur atë, gjë e cila çon në sherr dhe armiqësi.

[7] Veshja e Ihramit për haxh duhet madhëruar dhe duhet ruajtur nga ato gjëra që e prishin dhe e cënojnë atë. Qëllimi me kryerjen e haxhit është përulja dhe nënshtrimi para Allahut, afrimi tek Ai me sa të mundesh prej veprave të mira dhe ruajtja nga të këqiat. Në këtë mënyrë arrihet haxhi i bekuar, shpërblimi i të cilit është xheneti. Ndërsa këto gjëra, edhe pse janë të ndaluara në çdo kohë, por gjatë haxhit ndalesa e tyre është edhe më e fortë. Shejh Abdurrahman es-sadij (Allahu e mëshiroftë!).

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit