Hetimi për Vlora Hysenin, Tabaku kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare

Mos i humb

Deputetja e Partisë Demokratike dhe njëherazi kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, pas raportimeve për masën e sigurisë ndaj drejtueses së SHISH dhe kontrollet në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, kërkon mbledhjen e menjëhershme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku e cilëson situatën si një dëshmi të asaj që ajo e përshkruan si “kalbëzim të shtetit nga brenda”, ndërsa i kërkon Presidentit të Republikës të thërrasë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“Shqipëria është gdhirë sot me raportimet për një masë sigurie ndaj drejtueses së SHISH dhe kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, në kuadër të hetimeve për Ergys Agasin dhe dosjen AKSHI. Një ditë pas spektaklit propagandistik të ministrit të Brendshëm, shqiptarët përballen me dyshime që prekin majat e institucioneve përgjegjëse për sigurinë e tyre”, shkruan Tabaku.

“Kur hetimet për një grup të strukturuar kriminal mbërrijnë deri te drejtuesit e institucioneve të sigurisë, pyetja bëhet e pashmangshme: kujt i kanë shërbyer këto institucione? Qytetarëve që duhet të mbronin, apo pushtetit dhe interesave që duhet të hetonin?”, vijon ajo.

Deputetja e PD-së thotë se “çdo ditë bie një copë nga muri i propagandës dhe pas tij shfaqen rrënjët e krimit, korrupsionit dhe lidhjeve të tyre me qeverisjen”.

Sipas saj, “Presidenti i Republikës duhet të thërrasë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Duhet të sqarohet nëse janë cenuar informacionet shtetërore, puna e institucioneve dhe siguria e qytetarëve”.

“Shqipëria nuk mund të presë shfaqjen e radhës të propagandës, ndërsa dyshimet prekin vetë strukturat që duhet ta mbrojnë. Drejtësia duhet të bëjë punën e saj deri në fund, pa mburoja politike dhe pa pengesa. Por përgjegjësia politike nuk mund të shtyhet pafund, duke pritur që për çdo hallkë të këtij sistemi të flasë prokuroria”, përfundon Tabaku.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit