Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, u dënua më 8 shtator me një vit me burgim me kusht, në periudhë verifikuese për një vit, për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Më 2 shtator, Sveçla i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) u shpall fajtor për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 21 mars të vitit 2018, në ditën kur ishte ratifikuar marrëveshja e demarkimit të kufirit me Malin e Zi.
Më 10 prill, para Gjykatës Themelore në Prishtinë, Sveçla ishte deklaruar i pafajshëm përballë akuzave. Ndërkaq, në seancën e 2 shtatorit, ai nuk ishte i pranishëm në gjykatë.
Paraprakisht, në seancën për matjen dhe caktimin e dënimit, prokurori Valdrin Krasniqi propozoi dënim me dy vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas aktakuzës së ndryshuar, Sveçla akuzohet se më 21 mars, në sallën plenare të Kuvendit, gjatë një seance të jashtëzakonshme, ka përdorur gaz lotsjellës.
Sipas Prokurorisë, ai e ka aktivizuar bombolën me gaz, dhe e ka hedhur brenda sallës disa herë pa paralajmërim, duke mos u dhënë personave të pranishëm mundësi për t’u larguar.
Rreth akuzave për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në gusht të 2016, është liruar së voni ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca.
Gazi lotsjellës është përdorur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për të kundërshtuar një sërë zhvillimesh politike.
Më 2015, deputetët e LVV-së, që kundërshtonin marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë, hodhën gaz lotsjellës në sallën plenare.
Më pas, edhe ata të Aleancës dhe të Nismës Socialdemokrate iu bashkuan kundërshtimit për marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, duke hedhur gaz në ambientet e Kuvendit.


