
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë një konference për media, përpos që ka folur për dështimet e Qeverisë, me theks të veçantë ka përmendur taksën 100 % ndaj produkteve serbe. Sipas Hotit taksa 100 % ndaj produkteve serbe është bërë stehë plaçke për Qeverinë Haradinaj.
“Në anën e tjetër institucionet publike janë bërë strehë e militantëve partiakë. Për të gjitha këto dështime duhet të marrë përgjegjësi shefi i PDK-së, Kadri Veseli, pasi që ai është edhe shef i PAN-it. Zgjedhjet e reja janë mënyra e vetme për të dalë nga ky ngërç politik”, tha Hoti.
Sipas Hotit, Kosova asnjëherë më parë nuk ka qenë në gjendje më të rëndë, ndërsa shtoi se presidenti Thaçi do t’i shërbente më shumë Kosovës në rast se do të lobonte më shumë për njohje të reja të Kosovës sesa që është duke lobuar për korrigjimi e kufijve.
“Në 11 vjet shtet asnjëherë nuk kemi qenë në pozitë më të keqe, nuk kemi pas degradim më të madh dhe besueshmëri më të dobët. Është vënë në pikëpyetje përkrahja e SHBA-së. Asnjëherë më parë nuk e kemi ndier largimin nga SHBA. Po ashtu kemi presidentin e vendit që po lobon fuqishëm për korrigjimin e kufijve. Sikur të lobonte për njohje kaq shumë sa për korrigjimin nuk do të kishim pas kaq shumë tërheqje të njohjeve”, u shpreh Hoti, derisa shtoi se korrigjim të kufijve nuk do të ketë asnjëherë, sepse me zgjedhjet e reja që do të ndodhin shumë shpejt, qytetarët do ta kenë mundësin që të vendosin për kufijtë e Kosovës.
“Kosova duhet të lirohet nga ky lidership. Zgjedhjet e reja janë zgjidhja më e mirë për vendin. Kosova duhet të bëjë dialog, nuk ka rrugë tjetër. Kemi dialoguar edhe në Rambuje edhe ne Vjenë, por sot ekziston një frikë e paparë. Qytetarët tanë nuk kanë besim tek lidershipi i tyre. Korrigjim të kufijve nuk do të kenë asnjëherë. Qytetarët e Kosovës do ta kenë të drejtën e tyre që të vendosin për kufijtë e vendit nga zgjedhjet e reja”, tha Hoti./KosovaPost/


