Vijojnë prej më shumë se 14 orësh kërkimet për gjetjen e dy turistëve hungarezë, të cilët u zhdukur mbrëmjen e kaluar në zonën e Karaburunit, në Vlorë. Çifti i moshës 35-40 vjeç i kërkuan ndihmë policisë përmes telefonit, i cili më pas rezultoi i fikur.
Çifti i turistëve nga Hungaria kanë humbur pasditen e së dielës dhe kanë lëshuar sinjalin SOS, ndërsa policia ka ngritur grupe kontrolli në gjithë zonën për gjetjen e tyre.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë
Sot rreth orës 20:00, jemi njoftuar se në zonën e Karaburunit dyshohet se kanë humbur rrugën një çift hungarezësh.
Automjeti i cili është marrë me qira nga ana e tyre ndodhet i parkuar pranë zyrave të zonave të mbrojtura, Vlorë.
Ata janë rreth moshës 35 – 40 vjeç dhe kanë kërkuar ndihmë nëpërmjet celularit i cili rezulton i fikur më pas.
Janë ngritur grupe kërkimi nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Policia Kufitare Vlorë nëpërmjet mjeteve lundruese dhe Repartit Delta.
Po punohet për gjetjen e tyre.