Indi, arrest shtëpiak për politikanët nga Kashmiri

Mos i humb

Qeveria e Indisë ka vendosur restrikcione për rajonin e trazuar të Xhamu dhe Kashmir.

Kryeministra të mëparshëm dhe disa liderë të tjerë rajonalë u vendosën nën arrest shtëpiak.

Sipas urdhrit të qeverisë, nuk do të ketë lëvizje të publikut dhe të gjitha institucionet arsimore do të qëndrojnë të mbyllura. Do të ketë një ndalesë të plotë për mbajtjen e takimeve publike apo tubimeve të çdo lloji gjatë periudhës sa është në fuqi urdhri.

Ish-kryeministrave të Xhamu dhe Kashmir, Omar Abdullah dhe Mehbooba Mufti, nuk do t’u lejohet që të dalin nga shtëpitë pasi orë policore strikte do të zbatohen në Kashmir për shkak të përshkallëzimit të tensioneve dhe armiqësisë me Pakistanin përgjatë Linjës së Kontrollit (LOC), që faktikisht është kufiri që ndan rajonin e diskutueshëm mes Indisë dhe Pakistanit, njoftoi agejncia e lajmeve Press Trust of India.

Kashmiri ishte në qendër të vëmendjes të dielën kur autoritetet rritën prezencën e forcave të sigurisë në pikat vitale dhe në zonat e ndjeshme.

“Besoj se jam vendosur nën arrest shtëpiak nga mesnata sonte dhe procesi tashmë ka filluar për udhëheqësit e tjerë. Nuk ka asnjë mënyrë për të ditur nëse kjo është e vërtetë, por nëse është kështu atëherë do t’ju shoh të gjithëve në anën tjetër të çfarëdo qoftë ajo që po përgatitet”, shkroi Abdullah në rrjetet sociale.

Në një postim tjetër, ai shkroi: “Drejtuar popullit të Kashmirit, ne nuk e dijmë se çfarë po përgatitet për ne, por besoj fuqishëm se çfarëdo që ka planifikuar Allahu i Plotëfuqishëm, ajo është çdoherë për të mirë, mund të mos e shohim tani, por asnjëherë nuk guxojmë që të dyshojmë në rrugën e tij. Fat të mirë të gjithëve, qëndroni të sigurt dhe mbi të gjitha, JU LUTEM QËNDRONI TË QETË”.

Mehbooba Myftiu, një tjetër ish-kryeministër, ka shkruar: “Dëgjoj raporte në lidhje me internetin që do të bllokohet së shpejti, duke përfshirë edhe celularët. Gjithashtu do të vendosen orë policore. Zoti e di se çfarë na pret nesër. Do të jetë një natë e gjatë. Në periudha të tilla të vështira, unë do të dëshiroja t’i sigurojmë njerëzit tanë se çfarëdoqoftë ajo që vjen, ne jemi në atë së bashku dhe do ta luftojmë. Asgjë nuk duhet ta prishë vendosmërinë tonë për t’u përpjekur për atë që është me të drejtë e jona”.

Autoritetet pezulluan lidhjen e internetit për celularët në Luginën e Kashmirit, thanë zyrtarët, duke shtuar se telefona satelitorë u janë siguruar zyrtarëve të policisë dhe gjykatësve të rrethit.

Përpos rritjes së prezencës së forcave ushtarake në Luginën e Kashmirit, është rritur edhe niveli i sigurisë në të gjithë rajonin Xhamu me vendosjen e forcave paraushtarake shtesë në distriktet fqinje Poonch dhe Rajouri, njoftuan zyrtarët për mediat lokale.

Forcat Qendrore të Armatosura të Policisë, duke përfshirë edhe Forcat e Veprimit të Shpejtë, Forcat Qendrore Rezervë të Policisë, Policinë Kufitare Indo-Tibetike dhe Forcat e Sigurisë Kufitare, janë vendosur në distrikte të ndryshme të rajonit Xhamu gjatë dy ditëve të fundit për të rritur sigurinë pas kërcënimeve të mundshme për sulme terroriste, thuhet në raport.

Xhamu dhe Kashmir, një rajon në Himalajet me shumicë muslimane, është ndarë nga India dhe Pakistani dhe pretendohet i tëri nga të dyja shtetet.

Që nga ndarja e tyre në vitin 1947, dy shtetet kanë zhvilluar tre luftëra, në vitet 1948, 1965 dhe 1971. Dy prej këtyre luftërave janë zhvilluar shkaku i Kashmirit.

India sot tërhoqi dispozitat e veçanta të Kushtetutës që ia kishte dhënë rajonit të diskutuar Xhamu dhe Kashmir. India gjithashtu ndau shtetin në dy njësi, të cilat i quajti “territore të unitetit” dhe të cilat do të qeverisen nga dy guvernatorë toger.

Disa grupet në Xhamu dhe Kashmir, kanë luftuar për pavarësi kundër sundimin indian apo për bashkim me Pakistanin fqinj.

Sipas disa organizatave për të drejtat e njeriut, mijëra njerëz kanë humbur jetën në konfliktin në rajon që nga viti 1989.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit