India shpreson të shkruajë historinë sot duke u bërë vendi i parë që zbarkon pranë polit jugor të Hënës, shkruan BBC.
Një nga objektivat kryesore të misionit është kërkimi i akullit me bazë uji, për të cilin shkencëtarët thonë se mund të mbështesë vendosjen e njerëzve në Hënë në të ardhmen.
Nëse ”Chandrayaan-3” do të jetë i suksesshëm, India do të jetë vetëm vendi i katërt që ka bërë një ulje të butë në Hënë.
Përpjekja e Indisë vjen disa ditë pasi raketa ruse ”Luna-25” u rrëzua teksa po përpiqej të ulej në të njëjtin rajon.
Poli jugor i Hënës ka premisa të veçanta në kërkimin e akullit të ujit.
Zona që mbetet në hije të përhershme është e madhe dhe shkencëtarët thonë se kjo do të thotë se ekziston mundësia që të ketë ujë në këto zona.
SHBA, ish-Bashkimi Sovjetik dhe Kina kanë arritur të gjitha një ulje të butë pranë ekuatorit të Hënës, por asnjë nuk ka kryer misione të suksesshme në polin jugor.
Përpjekja e Indisë për të ulur misionin e saj ”Chandrayaan-2” pranë Polit të Jugut në vitin 2019 ishte e pasuksesshme, pasi ai u përplas në sipërfaqen hënore.
Kështu që të gjithë sytë janë tani tek ”Chandrayaan-3”, misioni i tij i tretë në Hënën pak të eksploruar.
Anija kozmike me një orbiter, tokëzues dhe rover u ngrit më 14 korrik nga qendra hapësinore ”Sriharikota”, në Indinë Jugore.
Landeri, i quajtur ”Vikram” sipas themeluesit të Organizatës së Kërkimeve Hapësinore të Indisë (ISRO), Vikram Sarabhai – mban roverin e quajtur ”Pragyaan”, fjala sanskrite për mençurinë.