![]()
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, pasi akuzoi për “pirateri detare” Britaninë e Madhe e cila konfiskoi tankerin iranian të naftës, tha se Irani këtë nuk do ta lërë pa përgjigje.
Në një deklaratë nga Zyra e Khameneit, thuhet se ai është takuar me ligjëruesit e ditës së premte ku dhe ka bërë vlerësime në lidhje me marrëveshjen bërthamore dhe tankerët iranianë të naftës që janë konfiskuar.
“Britania po kryen pirateri detare dhe po na vjedh anijet. Fillimisht kryejnë një krim dhe më pas i përshtatin kësaj një mbulesë ligjore. Irani dhe elementët që besojnë këtë regjim nuk do të lënë pa përgjigje këtë djallëzi të tyre. Do të japin përgjigjen e përshtatshme në vendin dhe kohën e duhur”, tha Khamenei duke kritikuar qeverinë e Britanisë e cila ka konfiskuar tankerin iranian të naftës në Ngushticën e Gjibraltarit.
Pasi akuzoi disa shtete perëndimore për mendjemadhësi, Khamenei tha se “Arsyeja pse problemet midis nesh dhe vendeve të Bashkimit Evropian janë të përhershme, është mendjemadhësia e tyre. Nëse shteti përballë tyre është i dobët, kjo mendjemadhësi funksionon, por nëse është një shtet që njeh fytyrën e tyre të vërtetë, kupton dhe qëndron përballë kësaj, ata mposhten”.
“Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, i njeh praktikat diplomatike dhe shprehet qartë se vendet e BE-së nuk janë në përputhje me angazhimet e tyre”, tha Khamenei.
“Ne kemi qenë shumë të përkushtuar ndaj angazhimeve tona, ndërsa tani për shkak se i kemi reduktuar këto, vendet e BE-së po reagojnë, dhe pyesin pse i keni ndërmarrë këto hapa?” O të pafytyrë, ju nuk i keni përmbushur 11 premtimet tuaja, ndërsa ne sapo kemi filluar t’i reduktojmë dhe ky proces sigurisht që do të vazhdojë”, tha Khamenei.


