Ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj dhe të tjerët dënohen për keqpërdorime me subvencione

Mos i humb

Gjykata Themelore në Gjakovë, të premten, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, për akuzën se ka keqpërdorur detyrën zyrtare për kohën sa ka qenë në krye të komunës në fjalë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika, i akuzuari Lekaj është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje sipas aktgjykimit, edhe të akuzuarit tjerë, përkatësisht ish-zyrtarët tjerë të komunës, Gani Rama dhe Ismet Isufi janë dënuar me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gani Rama është dënuar me 1 vit burgim me kusht ndërsa Ismet Isufi me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht.

Dënimet me burgim ndaj të akuzuarve të lartcekur nuk do të ekzekutohen nëse të njëjtit nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej 2 vitesh për secilin.

Ndërsa, ndaj të akuzuarit Veli Hajdaraga për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi është shqiptuar dënimi unik me gjobë në shumën prej 8 mijë euro, si dhe dënimi me burgim me kusht 1 vit.

Trupi gjykues ka shqiptuar edhe dënimin plotësuar ndaj të akuzuarve Gani Rama, Ismet Isufi dhe Pal Lekaj që përfshinë ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbime publike në kohëzgjatje prej 2 vitesh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Katër të akuzuarit janë obliguar që Komunës së Gjakovës t’ia kompensojnë dënimin në shumën prej 69,786 euro në afat prej një viti nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjithashtu, gjykata e ka detyruar të akuzuarin Veli Hajdaraga që t’ia kompensojë ATK-së shumën prej 21, 283 euro në emër të tatimit të papaguar dhe në emër të kontributeve personale shumën prej 3,435 euro, të gjitha në afat prej një viti nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Në gusht të vitit 2019 lënda e të akuzuarit Gani Rama ishte bashkuar me lëndën e Pal Lekajt dhe të tjerëve pas propozimit që kishte bërë prokurori special, Atdhe Dema që këto dy lëndë të bashkoheshin me arsyetimin se këto çështje janë të njëjta dhe të ndërlidhura.

Kjo është hera e dytë që rasti ndaj të akuzuarit Rama është kthyer në rigjykim, pasi që Gjykata Themelore në Gjakovë, atë dy herë e kishte liruar nga akuza.

Gjykata Themelore në Gjakovë më 13 shkurt 2017, e kishte liruar nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetimin se nuk është arritur të provohet se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit