
Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha ka komentuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit sot në Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe europarlamentari Knut Fleckestein. Përmes një postimi në “Facebook”, Gjosha shprehet se ky këshill është katandisur në një komision të thjeshtë parlamentar, ku ministrat vijnë vetëm për të marrë pagat e institucionit dhe investimet në godina.
Ndër të tjera, ish-ministrja shprehet se ndjen keqardhje që politika vazhdon ta përdorë këtë institucion për propagandë. Sipas Gjoshës, Këshilli është pa dyshim viktima e rradhës së një pushteti shfarosës.
“Këshilli Kombëtar i Integrimit fatkeqësisht sot është katandisur në një komision të thjeshtë parlamentar, ku ministrat vijnë raportojnë për pagat e institucionit të vettingut dhe investime në godina.
Ndjehem e keqardhur që politika vazhdon të përdor edhe këtë instancë për të vazhduar më tej propagandën fasadë të një procesi integrimi që po shuhet cdo ditë e më shumë.
Dëshiroj t’i rikujtoj përfaqësuesve të Këshillit se Këshilli Kombëtar i Integrimit është një organ këshillimor, i cili jep sugjerime, opinione, alternativa mbi iniciativa konkrete të qeverisë mbi proçesin e integrimit europian. Sot do duhej të ishte dita kur anëtarët e Keshillit të kërkonin llogari mbi implementimin e stategjisë për negociatat dhe cfarë hapash ka ndërmarrë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për të zbatuar rekomandimet e tyre që nga mbledhja e kaluar!
Sot do të duhej që shoqëria civile të kishte të drejtën e fjalës para Ministrave që vijnë e ikin për shoë duke lexuar raporte që as ata vetë nuk i besojnë.
Sot do të duhej që pikërisht këta përfaqësues të vinin para përgjegjësisë qeverinë për raportin që Shqipëria i ka dërguar Komisionit Europian për vitin që lamë pas. Do të duhej të sugjeronin amendimet e tyre mbi raportimin e 5 prioriteteve kyçe dhe të kërkonin llogari për raportin e posaçëm të numrit të azilkërkuesve shqiptarë!
Si ka mundësi që përfaqësuesit e drejtësisë së re paraqiten në Këshill duke zbatuar urdhërat e politikanëve, ndërkohë që politika duhet të frikësohet para njerëzve të drejtësisë?
Por ndoshta si cdo institucion tjetër në këtë vend që ka pushuar së funksionuari, edhe Këshilli Kombëtar i Integrimit ka filluar degradimin e pamerituar, duke mbyllur një herë e mirë ryrugën e një procesi historik dhe jetik për Shqipërinë, sic është ai i integrimit europian!
Këshilli sot është pa asnjë dyshim viktima e rradhës së një pushteti shfarosës të cdo qelize të demokracisë!”-u shpreh Gjosha.


