Ish-presidenti i Gjeorgjisë, Saakashvili pas 8 vitesh kthehet në vendin e tij

Mos i humb

Ish-presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, i cili që 8 vite ndodhet jashtë vendit për shkak të urdhër-arrestit në mungesë ndaj tij, njoftoi se është kthyer në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Saakashvili në deklaratën e tij me video të publikuar në llogarinë Facebook tha se pas 8 vitesh ka ardhur në Gjeorgji.

Ai tha se gjendet në qytetin Batumi dhe është realizuar tashmë ëndrra e tij për t’u kthyer në vend. “Shumë më merrte malli për këtu”, tha ai.

Duke rikujtuar se nesër në vend do të mbahen zgjedhjet lokale, Saakashvili i bëri thirrje popullit që të dalin të votojnë si dhe të mblidhen më 3 tetor në qendrën e Tbilisit për të “mbrojtur” votat e tyre.

Saakashvili tha se ka rrezikuar jetën dhe lirinë duke u kthyer në vend ku ndaj tij ka urdhër-arresti në mungesë. “Nga ju kërkoj vetëm një gjë, dilni në votime, mos u frikësoni, gjithçka do të bëhet mirë për ne”, u shpreh Saakashvili.

Ndërkohë në deklaratën e Ministrisë së Brendshme të Gjeorgjisë thuhet se Saakashvili nuk ka kaluar nga kufijtë e Gjeorgjisë.

Saakashvili ndryshoi planet

Saakashvili në deklaratën e bërë më 27 shtator tha se në Gjeorgji do të kthehet më 2 tetor me linjën ajrore Kiev-Tbilisi dhe kishte publikuar edhe biletën e fluturimit.

Kryeministri gjeorgjian, Irakli Garibashvili në lidhje me deklaratën e Saakashvilit ka thënë se “Përgjigjja është e thjeshtë, atij do t’i përgjigjet shteti. Saakashvili sapo të hyjë në territorin tonë, sapo të shkelë me këmbë, menjëherë do të arrestohet dhe do të burgoset”.

Saakashvili që nga viti 2013 nuk mund të kthehet në vendin e tij

Prokuroria e Gjeorgjisë kishte lëshuar urdhër-arresti ndaj Saakashvilit të cilin e akuzonte për shpërndarjen e tubimit të opozitarëve në vitin 2007, konfiskimin e pronës së themeluesit të kanalit televiziv, Imedi, Badri Patarkachishvili, për korrupsion dhe shpërdorim detyre si dhe për rrahje të një deputeti. Gjykata e Tbilisit në vitin 2018 e dënoi Saakashvilin me 3 vjet burg për abuzim me pushtetin për faljen e një rasti vrasjeje.

Pas përfundimit të detyrës së tij si president në vitin 2013, Saakashvili u largua dhe iku në SHBA.

Më pas ai shkoi në Ukrainë, ku presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Petro Poroshenko, në maj të vitit 2015 i kishte dhënë atij shtetësi të Ukrainës. Saakashvili gjithashtu ishte emëruar si guvernatori i Odesës por dha dorëheqje nga kjo detyrë në vitin 2016.

Atij më 4 dhjetor 2015 iu hoq shtetësia e Gjeorgjisë. Saakashvili në Ukrainë e themeloi partinë Lëvizja e Forcave të Reja, që ishte në opozitë.

Më 26 korrik 2017 atij iu hoq edhe shtetësia e Ukrainës, por presidenti i këtij vendi, Volodymyr Zelensky, vitin e kaluar sërish i dha shtetësinë.

Saakashvili është kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Reformës Kombëtare të Ukrainës që nga viti 2020.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit