Izraeli shton praninë ushtarake në kufirin me Gazën

Mos i humb

Ushtria izaelite ka dërguar përforcime ushtarake në kufirin me Rripin e bllokuar të Gazës me rastin e 43-vjetorit të “Ditës së Tokës” që shënohet nga palestinezët që nga viti 1976.

Me rastin e 43-vjetorit të Ditës së Tokës, palestinezët nesër në kufirin e Gazës pritet të organizojnë protesta masive paqësore.

Vëmendje në kufirin e Gazës, ku do të mbahen protestat, ka tërhequr mobilizimi i madh ushtarak në anën izraelite.

Ekipi i AA-së ka xhiruar koncentrimin intensiv ushtarak në një zonë në afërsi të qytetit Siderot, që shtrihet në pjesën izraelite të kufirit me Gazën.

Siç shohet, ushtria izraelite ka vendosur edhe tanke, autoblinda dhe makina pune.

Frikësim, apo përgatitje për luftë?

Teksa nga përforcimi izraelit me ushtarë, tanke dhe autoblinda ka lindur pyetja nëse vallë Izraeli është duke u përgatitur për luftë, media lokale këtë e ka quajtur si “frikësim” ndaj grupeve palestineze në Gaza para Ditës së Tokës.

Në kuadër të mobilizimit, forcat izraelite po ashtu kanë mbyllur me barriera betoni disa rrugë në zonat që çojnë drejt Gazës.

Ushtria mban nën monitorim prej 24 orësh rajonin me kamera fluturuese, ndërsa në pikën zero të kufirit mund të vërehen ushtarë nëpër kasollet e snajperëve.

Netanyahu: Nuk hezitojmë nëse ngelim të detyruar të hyjmë në luftë të gjerë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dje vizitoi zonën kufitare me Gazën, ku u takua me disa komandantë të divizioneve dhe brigadave.

“Nëse duhet të fillojmë një operacion të gjerë, ne do t’i godasim ata (grupet e rezistencës në Gaza) shumë rëndë, por vetëm pasi të gjitha opsionet e tjera të shteren”, tha ai gjatë vizitës.

Pas vizitës, ai po ashtu është shprehur se nuk do të hezitojnë nëse “ngelin të detyruar” të futen në një “luftë të gjerë” dhe ka këmbëngulur në shtimin e pranisë ushtarake në kufirin me Gazën.

“Dua një situatë tjetër për ne dhe palestinezët”

Teksa në rajon rritet dinamika e ushtrisë, në vendbanimin kolon hebre më të afërt me Gazën, Nahal Oz, është duke vazhduar jeta e përditshme.

Yael Lacvhani, zëdhënës mediatik i vendbanimit kolon Nahal Oz, thotë se ndihet i prekur nga tensionet midis Izraelit dhe Gazës.

Duke folur për AA, Lachvani shprehet se në rajon kohë pas kohe ndodhin gjëra negative për shkak të rritjes së tensioneve.

Ai beson se palestinezët dhe izraelitët mund të jetojnë pranë njëri-tjetrit.

“Shpresojmë për qetësi dhe paqe. Dua një situatë tjetër për veten, fëmijët e mi dhe palestinezët në anën tjetër të kufirit, sepse askush nuk ka nevojë të jetojë me një problem të ngjashtëm të sigurisë si ky”, thotë Lachvani.

Dita e Tokës

Izraeli më 30 mars 1976 konfiskoi shumë toka të palestinezëve shtetas të Izraelit që jetonin në rajonin Galilea në veri të vendit. Pas kësaj, populli palestinez hyri në grevë dhe zhvilloi protesta kundër kësaj grabitjeje.

Policia izraelite hapi zjarr ndaj protestuesve palestinezë duke martirizuar gjashtë persona dhe plagosur shumë të tjerë. Kjo ngjarje, e cila njihet si “Dita e Tokës”, konsiderohet si simbol i rezistencës së treguar nga palestinezët për çështjen e tokës e cila është edhe burimi i konflikteve mes Izraelit dhe Palestinës.

Palestinezët nga 30 marsi i vitit të kaluar kanë organizuar protesta të rregullta paqësore nën moton “Marshi i Kthimit të Madh” në kufirin e Rripit të Gazës me Izraelin në kuadër të 42 vjetorit të Ditës së Tokës.

Ndërkohë, ushtarët izraelitë kanë hapur zjarr me plumba të vërtetë ndaj palestinezëve të cilët kërkojnë “kthimin në tokat nga të cilat janë dëbuar dhe heqjen e bllokadës së paligjshme ndaj Gazës që nga viti 2006”.

Në ndërhyrjet e ushtarëve izraelitë ndaj protestave paqësore të cilat vazhdojnë nga 30 marsi e deri më tani, janë martirizuar më shumë se 250 demonstrues.

Ndërkohë, një komision i pavarur i OKB-së për hetimin e protestave në Gaza për vitin 2018, ka thënë se shkeljet e Izraelit gjatë protestave paqësore në kufirin e Gazës mund të cilësohen në kuadër të “krimeve të luftës” dhe “krimeve kundër njerëzimit”.

Përmes një raporti, komisioni ka bërë thirrje për hetim urgjent ndaj ushtarëve izraelitë që kanë hapur zjarr ndaj palestinezëve.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit