Ja çfarë shkruajnë gazetat gjermane për organizatën terroriste FETO

Mos i humb

Në objektet Gülen  fëmijët marrin vetëm mësim, është menduar për një kohë të gjatë. Kështu ka pretenduar deri më tani Lëvizja.

Nga Stefanie Schoene

Serkan-i është ambicioz. Qysh në moshën 16-vjeçe e dinte se donte të bëhej inxhinier. Ai, si nxënës, u regjistrua në qytetin e tij në një institut për mësim privat (shtesë) me mësues dhe studentë me prejardhje nga Turqia. Kur në vitin 2016 u udhëzua për një vend në një konvikt studentësh (banesë kolektive), i cili, gjithashtu, do ta mbështeste atë, ai u zhvendos nga shtëpia. Prindërit nuk ishin të kënaqur, por ia paguan qiranë e ulët. Ajo që Serkan-i, tani 18-vjeç, nuk e kuptoi ishte se ai kishte zbarkuar në një “shtëpi drite” (Lighthouse), një vendbanim studentësh që është pjesë e grupit të fshehur të rrjetit religjioz dhe social rreth klerikut islamik Fethullah Gülen. “Në fillim ishte ‘cool’,” pohon Serkan-i. “Kisha dhomën time, vazhdova me mësim privat, dhe pastaj mund t’i pyesja edhe studentët”. Çuditshëm iu duk atij vetëm atëherë kur burra të huaj erdhën e u strehuan në shtëpi. Ata, si kreu i institutit të tij dhe i konviktit, anëtarë të Gülen-it, vinin kryesisht nga Turqia dhe kishin takime në rajon ose merrnin poste atje. Lëvizja Gülen, e cila e quan veten “Hizmet” (shërbimi), është aktive në Gjermani që nga mesi i viteve 1990. Këtu, ashtu si në Turqi, ajo ndërtoi një rrjet të kompanive, të shkollave, të klubeve, të shtëpive-dritë, të kopshteve, të shtëpive botuese dhe të një gazete. Zyrtarisht këto u prezantuan si objekte individuale. Drejtuesit lokalë dhe rajonalë e mohonin gjithmonë para organeve lokale dhe para shtypit se i përkisnin një rrjeti ndërkombëtar. Kjo nuk ndryshoi deri në vitin 2016, pas përpjekjes së grushtshtetit në Turqi. Për këtë, qeveria dhe opozita e bëjnë përgjegjës rrjetin, prandaj Lëvizja tani konsiderohet organizatë terroriste turke, e cila ka ndjekës të saj rreth shtatë milionë përkrahës në mbarë botën. Jashtë Turqisë, arrestimet masive hasën në indinjatë. Kreu i Shërbimit Federal Informativ, Bruno Kahl, e përshkroi Lëvizjen si “shoqatë civile për edukimin e mëtejshëm religjioz dhe laik”.

Informacionet përhapen jashtë vetëm nëpërmjet disidentëve

Por, se a është vërtet Lëvizja e padëmshme, mund të vihet në dyshim. Në Berlin, ndërkohë, Fondacioni për Dialog dhe Arsim është kontakti kryesor me publikun. Ai prodhon libra, bordi premton lexime, transparencë dhe vlera demokratike. Megjithatë, informacione rreth proceseve dhe hierarkive brenda Lëvizjes vazhdojnë të depërtojnë vetëm atëherë kur disidentët raportojnë. Për herë të parë tani edhe të rinjtë dalin në publik. Krahas Süddeutsche Zeitung, ata raportuan për presionin prapa skenave, fanatizmin autoritar dhe se si prindërit kanë sakrifikuar familjet e tyre për Lëvizjen.

“Shtëpia e dritës”, ku Serkan-i jetoi gjatë dy vjetëve, nuk është një rast i izoluar. “Shtëpi të dritës” ka në çdo qytet të madh gjerman që nga mesi i viteve ’90-të. Sa janë, nuk dihet, pasi ato janë “hapësira private për banim”, siç quhen nga qarqet udhëheqëse të Lëvizjes. Te sufizmi turk “dritë” ka kuptimin iluminist – për përhapje të diturisë. Banorët e konviktit janë “Gjenerata e Artë” e Gülen-it, një elitë myslimane, e cila synon ta bëjë botën më të arsimuar dhe më të mirë. Ritualet qendrore të “shtëpive të dritës” – si dhe të Lëvizjes në tërësi – përveç faljes (lutjes) pesë herë në ditë, Sohbet-i (biseda) disaorësh, janë: studimi i Kuranit, ligjërata, leximi i predikimeve dhe i interpretimeve të Kuranit nga Fethullah Gülen. Aktivitetet në shtëpitë për meshkujt i koordinon një “Abi” (Vëllai i Madh), në shtëpitë për gratë një “Abla” (Motra e Madhe). Abi-të dhe Abla-të krijojnë një hierarki në nivel shtëpiak, rajonal, shtetëror dhe federal, të cilën Lëvizja e hesht.

“Më duhej të rekrutoja pesë familje çdo javë”

Serkan-i, dy adoleshentë të tjerë dhe një mësuese, lënë të kuptohet se institutet e Lëvizjes veprojnë si organizata platformë për rrethin e brendshëm, rreptësishtë religjioz. Pasi të jeni brenda, ku ju tërheq mundësia për njohje dhe avancim, duhet siguruar që të rinjtë të qëndrojnë. Sidomos fëmijët, prindërit e të cilëve i përkasin vetë rrjetit, vështirë se kanë fuqi për të dalë vetë. Në “shtëpinë e dritës” të Serkan-it, mësimi i përditshëm për islamin nga ora 18 deri në orën 23 ishte obligativ. Ishte e mërzitshme, thotë ai: “Nuk e kuptoja turqishten e vjetër të teksteve të Gülen-it. Megjithatë përgjigjet në pyetje apo diskutime nuk bëheshin të ditura në konvikt”. Kur një ditë u kthye vonë në shtëpi, pasi kishte bërë mësim nëpërmjet një mësueseje, Abi e qortoi atë: Serkan-i kishte kaluar kohë me një grua të pamartuar dhe gjithashtu kishte humbur Sohbet-in. Në përgjigjen ndaj pyetjes tonë, Fondacioni për Dialog dhe Arsim thotë: “Nuk jemi në dijeni për rastin. Vullneti është parakushti më i rëndësishëm për çdo angazhim”.

Serkan-i beson në Zot, por praktikimin e besimit e mendon ndryshe. Çuditshëm gjithashtu e përshkruan çastin kur nxënësit kishin qarë së bashku duke dëgjuar predikimet e Gülen-it. Predikuesi edhe më parë në Turqi kishte bërë të qajë audiencën e tij, që përbëhej prej qindra mijëra vendeve publike.

Gjatë qëndrimit dyvjeçar të Serkani-t, rregullat u ashpërsuan. Bisedat me shoqet e klasës dhe vizitat e paparalajmëruara nga miqtë, u ndaluan. Të dielave gjithë konvikti shkonte në të ashtuquajturat kampe, kohë të lirë për gara në lexim dhe sohbet-e në “shtëpitë e tjera të dritës” brenda një rrezeje prej rreth 200 kilometrash. Kur të tjerët do të pyesnin se çfarë po ndodhte në konvikt, ai duhej të thoshte: mësim, lojë, relaksim dhe lojë futbolli.

“Love Bombing”: Rekrutim me lavdërim dhe mirëdashësi

Të shtunën vinin nxënës nga instituti lokal në konviktin e Serkan-it. Edhe pse Lëvizja e mohon këtë: mësimi religjioz për fëmijët është standard në “shtëpitë e dritës”. Një konvikt për studente në Bavari kujdesej për 80 vajza në javë. Edhe Aiëe*, një ish-mësuese, ligjëroi sohbet-in për vajzat 7 deri në 14 vjeç në konvikt. Ajo duhej t’u kërkonte fëmijëve të rekrutonin, si një lloj gare, nxënës të rinj. Studenteve iu prezantoheshin burra të pamartuar nga Turqia për martesë, pohon 40-vjeçareja: “Për shumicën paskëtaj studimi ishte e kaluar (passé)”.

Për tetë vjet, Aiëe ndihmoi rritjen e Lëvizjes, rekrutimin e anëtarëve dhe mbledhjen e parave. “Udhëheqëset më dhanë lista me numra telefoni, më duhej të rekrutoja pesë familje çdo javë”. Presioni mbi mësuesen ishte shumë i madh, kritika ishte e padëshirueshme, rrjeti më në fund i dukej si një sekt. Në vitin 2014 ajo e braktisi Lëvizjen. Por, me këtë nuk kishte mbaruar. Disa herë, në shkollën e djalit të saj kishin ardhur gra për ta fituar atë për mësimin islam të Lëvizjes – me dashamirësi, lavdërim dhe vëmendje. Ekspertët e sektit e quajnë këtë lloj kontakti të parë “Love Bombing”. “Për fat të keq, ai nuk është krejtësisht i pandjeshëm ndaj kësaj çështjeje,” thotë pedagogia. Tani ajo është duke e shqyrtuar mundësinë e zhvendosjes në një qytet tjetër.

Çdokush që lexon në heshtje – merr të holla falas

Se sa e vështirë ose madje e rrezikshme mund të jetë përpjekja për shqitje e të rinjve tregojnë Deniz*, 18-vjeç, dhe Ayhan*, 16-vjeç. Vetëm pas disa përpjekjeve, arrihet takimi me ta. Emrat, qytetet e lindjes dhe shtetet duhet të mbesin pa u përmendur në mënyrë që ata të mos njihen. Të dy djemtë kanë frikë nga etërit e tyre, ndjekës të ngushtë të Gülen-it. Përmes etërve, nxënësit automatikisht ishin “brenda”. Deniz-i mori pjesë në “kampe” qysh në moshën shtatëvjeçare. Ata që lexonin në heshtje shumicën e faqeve të librave të Gülen-it, fituan të holla dhuratë. Nuk diskutohej për leximin, por në planin, në të cilin fëmijët shënonin hapat e tyre të punës, thuhej: “Kush gënjen, shkon në ferr”. Fondacioni për Dialog thotë se kjo “nuk përshtatet me pedagogjinë dhe vlerat e institucioneve tona”.

“Ndjehesha si në shtëpi, sepse gjithçka ishte turke”

Ayhan ishte nëntë vjeç kur u zgjodh për Sohbet-in mysliman. Pas një jave rraskapitëse të shkollës gjermane, ai u gëzohej vizitave në konviktin e studentëve. Ai thotë: “Aty ndihesha si në shtëpi, sepse gjithçka, qilimat, jastëkët, ishin turke”. Kur ishte njëmbëdhjetë, nuk donte më të shkonte, kishte stres për shkak të kontakteve me vajzat. Por, babai i tij, me besim thellësisht fetar, këmbënguli që ai të vazhdonte vizitat e tij në “shtëpinë e dritës”. Rreth 50 për qind të pagës së tij e jepte babai për shoqatën Gülen, vlerëson Ayhan. Mësuesja Aiëe gjithashtu di për donacionet. Edhe burri i një të afërmeje kishte dhënë gjysmën e pagës së tij, për çfarë gruaja u shkurorëzua.

Një mësues na tregon se atij iu këshillua të dhuronte, sikurse kolegët e tij, 40 për qind të honorarit të tij. Angazhimi islamik për lëmoshë siguron një bazë të sigurt për pushtetin ekonomik të rrjetit. Në Turqi, kuadrot e Gülen–it kishin zënë vend në ministri, në arsim, në drejtësi dhe në polici dhe, gjithashtu, në pjesë të ushtrisë. Të gjitha zotërimet në industrinë e ndërtimit dhe të tekstilit, dhe jo më pak banka, investuan fitimet e tyre në spitale, shkolla dhe universitete të Lëvizjes.

Vetë predikuesi shkoi në SHBA në vitin 1999, pasi ushtria turke e akuzoi atë se kishte kërkuar nga mbështetësit e tij që të zinin në heshtje pozicione kyçe në shtet. Ayan dhe Deniz kanë humbur baballarët e tyre në Lëvizje. Në familjen e Ayhan-it, erdhi deri te një skandal, nëna i doli në krah djalit, babai ishte bërë i dhunshëm. “Nëna ime ishte aq e guximshme. Nuk do t’ia kisha dalë pa të. Megjithatë, familja ime është shkatërruar”, thotë Ayhan. Deniz-i ia doli me ndihmën e nënës së tij, katër vjet më parë. Babai i tij u shkurorëzua. Ai është akoma një “kafshë e lartë”, thotë Deniz, i cili ka frikë nga represioni. “Ai na ka sakrifikuar për rrjetin. Nga jashtë shfaqet si një Lëvizje edukative religjioze – liberale, por nga brenda është fanatike”. Deniz-i dëshiron që publiku të dijë për të, shkruan Zëri./ (Suddeutschen Zeitung)

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit