Në Japoni rreth 120 spitale me arsyetimin se “kapaciteti i shtretërve është pothuajse plot” nuk pranuan një të sëmurë me koronavirusin e ri (COVID-19), gjendja e të cilit ishte rënduar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të transmetuesit publik NHK të Japonisë, një person në moshën 50-vjeçare me banim në metropolin Tokio u sëmur nga COVID-19 në fillim të gushtit.
I sëmuri, që po trajtohej në shtëpi, brenda dy ditëve shfaqi simptoma të rënda përfshirë vështirësi në frymëmarrje.
Mësohet se punonjësit e shëndetësisë shpenzuan 5 orë për të gjetur një spital për të shtruar të sëmurin, gjendja e të cilit u rëndua dhe se rreth 120 spitale nuk pranuan shtrimin e tij.
Raportohet se administratat e spitaleve refuzuan pacientin me arsyetimin se “kapaciteti i shtretërve ishte pothuajse plot”.
Në fund, i sëmuri me COVID-19 u shtrua në spitalin Nippon Medical School në Tokio.
Shoci Yokobori, drejtues në qendrën e kujdesit intensiv të spitalit, për NHK tha se më parë nuk kanë pasur kaq kërkesa për shtrime në spital.
Yokobori theksoi se nëse numri i rasteve nuk ulet, ata janë të shqetësuar se nuk do të jenë në gjendje të shpëtojnë të sëmurët, jetët e të cilëve normalisht do të kishin mundësinë t’i shpëtonin.


