“Jemi të kënaqur me hapat e fundit të Gjermanisë kundër PKK-së”

Mos i humb

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu tha se janë të kënaqur me hapat e fundit të Gjermanisë, të ndërmarra kundër PKK-së.

Çavusoglu në një konferencë pas takimit të realizuar me homologun e tij gjerman Sigmar Gabriel në Pallatin historik Kaiserpfalz në Goslar, tha se ndjehet i kënaqur për vizitën e tij në Goslar, i cili është atdheu i ministrit gjerman Gabriel.

Duke rikujtuar se më parë kishin realizuar një takim edhe në atdheun e tij në Antalia, Çavusoglu falënderoi ministrin Gabriel dhe bashkëshorten e tij për pritjen në shtëpinë e tyre.

Ai tha se kanë mospajtime në disa aspekte, po përjetojnë probleme dhe se madje kanë edhe tensionime në marrëdhëniet e tyre, por si dy ministra besojnë që këto mund të tejkalohen nëpërmjet rrugës së dialogut.

Çavusoglu thekson se populli turk dhe ai gjerman janë popuj krenarë të cilët nuk përkulen përpara presionit dhe kërcënimeve. Ai vuri në dukje se marrëdhëniet mes dy shteteve mund të përmirësohen nëpërmjet mirëkuptimit të ndërsjelltë, dialogut dhe bashkëpunimit të sinqertë.

“Ne do t’i këshillojmë ministrat tanë përkatës për riformimin e Komisionit të Përbashkët Ekonomik. Ne kemi mekanizma për konsultime mes dy ministrive të jashtme. Kemi çështje të shumta për të diskutuar. Jo vetëm në aspektin e marrëdhënieve dypalëshe, por është e dobishme që konsultimet të bëhen edhe për çështjet tjera rajonale. Për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, në njërën anë duhet të ndërmarrim hapa për rritjen e besimit, kurse në anën tjetër të vazhdojmë në ndërmarrjen e hapave konkrete”, tha Çavusoglu.

Shefi i diplomacisë turke tha se edhe nëse për disa çështje nuk janë dakord, megjithatë duhet të tejkalohen disa çështje.

“Për shembull sot ne nuk jemi të detyruar që të jemi dakord për procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE, por ne duhet t’i tejkalojmë çështjet si përditësimi i marrëveshjes së Unionit Doganor, e cila është në të mirë të të dy palëve”, tha ai.

“Me Gjermaninë nuk jemi vetëm aleatë të NATO-s. Sot kemi një bashkëpunim të ngushtë në luftën kundër DEASH-it. Ne jemi në konsensus edhe për çështjet lidhur me rajonin. Qëndrimet e Turqisë dhe të Gjermanisë për çështjet e Sirisë, Irakut, Jemenit, Libisë dhe çështjet tjera përputhen plotësisht. Të dyja palët dëshirojmë stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Po ashtu ekzistojnë çështjet tjera humane si emigrimi, të cilat shkaktohen nga këto probleme. Në këtë aspekt unë mund të them se deri më sot kemi qenë në një bashkëpunim të ngushtë me Gjermaninë dhe dua të theksoj se shteti më i ndjeshëm për këtë aspekt, relativisht është Gjermania”, tha Çavusoglu.

Ai tha se kanë shkëmbyer mendime lidhur me çështjet rajonale dhe se janë të sinqertë në aspektin e vazhdimit dhe zhvillimit të mëtejmë të dialogut dhe bashkëpunimit të sinqertë me Gjermaninë, i cili sipas tij, bazohet në besimin e ndërsjellë.

Në pyetjen e një gazetari lidhur me formimin e qeverisë në Gjermani, Çavuşoğlu vuri theksin se ky është një proces i rëndësishëm jo vetëm për Gjermaninë por edhe për Evropën. “Edhe ne shohim se gjithë sytë e shteteve evropiane janë tek Gjermania”, tha ai.

Ndërsa në pyetjen lidhur me të ardhmen e marrëdhënieve mes dy shteteve si dhe pritjet e Turqisë për PKK-në dhe FETO-n, Çavuşoğlu theksoi nevojën e fuqizimit të mëtejmë të bashkëpunimit me Gjermaninë në luftën kundër terrorizmit, sidomos kundër organizatës terroriste DEASH dhe organizatave tjera.

Çavuşoğlu po ashtu shtoi se në Gjermani ka prani të PKK-së dhe të FETO-s, duke rikujtuar se në këtë shtet ka afro 4.500 padi të hapura në lidhje me PKK-në dhe se këto janë duke vazhduar për një kohë të gjatë.

Gjithashtu ministri Çavusoglu u shpreh se organizatat terroriste kanë aktivitete në kontrabandimin drogës, njerëzve dhe armëve. Sipas tij, Gjermania është në dijeni të kësaj dhe se për këtë arsye duhet të jenë në bashkëpunim më të ngushtë.

“Jemi të kënaqur me hapat e fundit të Gjermanisë, të ndërmarra kundër PKK-së. Në të njëjtën kohë vendosja e Adil Öksüz në listën e të kërkuarve është një hap. Por, kemi pritje më të mëdha nga Gjermania për të dyja çështjet”, tha Çavusoglu./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit