Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, lidhur me operacionin “Dega e Ullirit” në kuadër të së cilës nga terroristët u çlirua Afrini, porositi se kjo paraqet fitore të paqes dhe disfatë të terrorizmit.
Kalin shkroi një artikull për gazetën e përditshme turke “Daily Sabah”, në të cilën u përqëndrua në ngjarjet rreth operacionit “Dega e Ullirit”, në veri të Sirisë.
Ai rikujtoi se operacioni filloi më 20 janar dhe se kaloi një periudhë kritike.
“Pastrimi i rajonit nga elementet e PKK/PYD-së është një sukses i madh në luftën kundër terrorizmit dhe kjo duhej të mbështetej si një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e integritetit territorial të Sirisë. Megjithatë, fitorja e Turqisë dhe disfata e PKK-së disa i ka shqetësuar. Në këtë mënyrë, pamë probleme në të menduarit në disa qarqe perëndimore”, porositi Kalin.
Duke folur për qëndrimin e Turqisë kur bëhet fjalë për organizatën terroriste separatiste PKK, Kalin tha se mes këtyre grupeve dhe PKK-së nuk ka kurrfarë dallimi.
Ai poashtu shtoi se në disa fronte zhvillon luftë kundër organizatës terroriste marksiste leniniste, e cila pohon se përfaqëson kurdët, duke porositur se ashtu sikurse lufta kundër DEASH-it nuk bëhet ndaj muslimanëve dhe arabëve, as lufta kundër PKK-së nuk bëhet ndaj kurdëve.
Kalin po ashtu konstatoi se administrata e Obamës bëri gabim të madh me ofrimin e ndihmës për degën e PKK-së në Siri.
“Ata mund të merren sa të duan me manovra të caktuara strategjike, por ky realitet nuk mund të ndryshohet. Ofrimi i mbështetjes për organizatën terroriste PKK, nën emrin e luftës kundër DEASH-it, para se gjithash është padrejtësi ndaj kurdëve. Ky vendim vuri në kundërshtim dy aleatë të NATO-s, SHBA-të dhe Turqinë, mbi çështjen e një teme shumë të rëndësishme rajonale”, tha Kalin duke konkluduar se, “Operacioni në Afrin është fitore e paqes, disfatë e terrorizmit. I është dhënë një goditje e rëndë kërcënimit terrorist në veri të Sirisë”./Rtv Islam/


