Zëdhënësja e demokratëve euroatlantikë, Mirela Karabina, në një deklaratë për mediet u shpreh sot se qeveria nuk mund të fshihet pas skandalit në Spitalin Onkologjik, pasi jetët e qytetarëve janë në rrezik të vazhdueshëm si pasojë e politikave abuzive e korruptive.
Karabina tha se shëndetësia është sektori më jetik dhe se kjo qeveri e ka kthyer në vatër korrupsioni për të mbushur xhepat e saj dhe të klientëve të qeverisë duke bërë pazar me jetën e qytetarëve.
Ajo më tej ngriti shqetësimin se edhe pse shqiptarët paguajnë 60% të shpenzimeve të shëndetësisë nga xhepi i tyre, skema e sigurimeve shëndetësore është drejt kolapsit pasi nuk mbulon dot nevojat e sistemit shëndetësor, kjo edhe për shkak të koncesioneve korruptive ku vetëm vitin e shkuar janë paguar 53 milionë euro.
Karabina gjithashtu i bëri thirrje ministres Albana Koçiu të japë dorëheqjen për atë që e cilësoi skandal me përmasa të rënda kriminale.
“Sistemi shëndetësor shqiptar është më i keqfinancuari në rajon.
Sot shqiptarët paguajnë 60% të shpenzimeve të shëndetësisë nga xhepi i tyre, shumë kjo më e larta në rajon dhe 4 herë më lartë se mesatarja e vendeve të BE-së. Skema e sigurimeve shëndetësore është drejt kolapsit, pasi nuk mbulon dot nevojat e sistemit shëndetësor, ku shumica e fondeve vijnë nga buxheti i shtetit, dhe e ngarkuar me pagesat për koncesionet ku vetëm gjatë vitit 2023 janë paguar 53 milion euro”


