KAS rrëzon ankimimin e Rithemelimit për pezullimin e regjistrimit të PD-së

Mos i humb

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi sot ankimimin e grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, i cili kërkon pezullimin e regjistrimit të PD-së së përfaqësuar nga kryetari në detyrë Enkelejd Alibeaj, në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Në kërkesën e paraqitur nga përfaqësuesi ligjor, Ledio Nuraj kundërshtohet vendimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe kërkohet ndryshimi i këtij vendimi, duke vendosur pezullimin e regjistrimit të subjektit “Partia Demokratike” me nënkryetar Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar, deri kur Kolegji Zgjedhor të jetë shprehur me vendim përfundimtar për ankimimin e subjektit “Partia Demokratike e Shqipërisë” e përfaqësuar nga kryetari Sali Berisha””.

Nuraj theksoi se kërkohet pezullimi i regjistrimit pasi është depozituar ankimim në Kolegjin Zgjedhor dhe sipas tij, kryekomisioneri duhej të priste derisa vendimi të merrte formë të prerë dhe t’i kalonte të gjithë hapat.

“Ndërkohë vendimi i KAS që detyronte regjistrimin e PD-së me nënkryetar Enkelejd Alibeaj, ka qenë në kapërcim të çdo lloj kompetence të KAS. Ka qenë një vendim ku KAS ka marrë atributet e gjykatës”, tha Nuraj.

Sipas tij, “KAS krijoi një normë të re juridike në vendimin e tij duke ndryshuar kriteret refuzive dhe duke krijuar edhe kritere të reja dhe një normë të re juridike”.

“Vendimi nuk përputhet me Kodin Zgjedhor, Kushtetutën dhe ligjin për partitë politike. Ndërkohë vendimi i Komisionerit Shtetëror të zgjedhjeve për regjistrimin e PD-së së përfaqësuar nga Alibeaj ishte një vendim i nxituar. Është shkelur besueshmëria e procesit zgjedhor nga të gjitha palët”, tha ai.

Nga ana tjetër, Rezart Kthupi, përfaqësuesi i ligjori i PD-së së Alibeajt tha se vendimi i KAS për regjistrimin e PD-së ishte detyrues dhe nuk mund të zhbëhet.

“Është një artificë ligjore për të goditur vendimin e KAS, nëpërmjet ankimimit që të pezullohet vendimi që ky komision dha për regjistrimin e PD-së. Ky vendim që KAS dha është vendim detyrues, dhe nuk mund të kërkohet nga Komisoneri për zgjatjen e afatit, apo mbajtjen e çështjes pezull. Në këto kushte Komisioneri nuk kishte tagrin për të zgjatur afatin për të marr një vendim ndryshe”, tha ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit