
Protestuesit pro pavarësisë bllokuan rrugët në Barcelonë, pasi Kabineti i Spanjës ka planifikuar të zhvillojë një takim në qytet, njoftoi media lokale.
Agjencia spanjolle e lajmeve EFE bëri të ditur se mbi 20 rrugë janë bllokuar disa orë para takimit të kabinetit qeveritar, i cili do të kryesohet nga kryeministri Pedro Sanchez.
Protestat vijnë pas një thirrjeje nga Komitetet për Mbrojtjen e Republikës (CDRs), grup protestues pro pavarësisë.
Sipas të përditshmes spanjolle El Pais, protestuesit kanë thirrur në organizimin e një greve në operatorin hekurudhor Renfe dhe në shërbimet postare.
“Studentët universitarë pritet t’u bashkohen protestave, me platformën ‘Së Bashku për Republikën’ (Unis x la República) dhe Unionin Studentor Katalanas (Sindicat d’Estudiants del Paisos Catalans), duke u bërë thirrje studentëve të mos marrin pjesë në orë mësimore”, raportoi El Pais.
Rreth 9.000 forca të sigurisë janë vendosën në Barcelonë përpara takimit të kabinetit.
Të enjten, kryeministri spanjoll Sanchez u takua me kreun katalanas Quim Torra dhe u zotua për “dialog të efektshëm” për të zgjidhur krizën politike.
Sipas El Pais, vendimi i kryeministrit spanjoll Sanchez për të mbajtur një takim të kabinetit në Barcelonë është konsideruar si “provokim” nga grupet pro-pavarësisë, pasi data përputhet me përvjetorin e parë të zgjedhjeve rajonale të 21 dhjetorit të shpallura nga qeveria qendrore pasi kompetencat katalanase ishin pezulluar.
Ish-kreu katalanas Carles Puigdemont udhëhoqi një sesion parlamentar vitin e kaluar, në të cilin ligjvënësit separatistë votuan për shpalljen e pavarësisë së Katalonjës nga Spanja.
Puigdemont dhe 12 udhëheqës të tjerë separatistë u akuzuan zyrtarisht për rebelim.


