KDI: Sesioni pranveror i punës së Kuvendit, i paorganizuar dhe me mungesë të kuorumit

Mos i humb

Instituti Demokratik i Kosovës, ka bërë monitorimin e punës së Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror të vitit 2018, periudhë kjo e cila sipas KDI-së është karakterizuar me mungesa të theksuara të deputetëve në votim dhe mos-organizim të duhur të punimeve.

“Janë 20 nga gjithsej 27 seancat e mbajtura gjatë periudhës janar – korrik që kanë vazhduar punimet në ditë të tjera, për shkak të numrit të madh të pikave të rendit të ditës dhe mungesës së kuorumit. Kuvendi nuk ka qenë efikas në organizimin dhe menaxhimin e punimeve të tij”, thuhet në një komunikatë të KDI-së.

Po sipas KDI-së, thirrja e seancave të reja pa përfundimin e seancave paraprake ka ndikuar në grumbullim të pikave të papërfunduara të rendit të ditës, dhe në efikasitetin e punës së Kuvendit.

“Bazuar në Rregulloren e Punës, java plenare fillon në ditën e enjte për të vazhduar ditën pasuese në rast se seanca shtyhet. Kjo praktikë ka funksionuar mirë por është ndryshuar gjatë legjislaturës së V-të, dhe po e përcjellë edhe legjislaturën e VI-të. Caktimi i seancave plenare në kohën kur komisionet kanë paralajmëruar mbajtjen e takimeve të tyre ka shkaktuar mungesë kuorumi në të dy anët, edhe në seanca edhe në komisione. Në njërën anë, Kryesuesi i seancës shpeshherë është detyruar të ndërpres seancën ose ta shtyej votimin e ndonjë pike të caktuar për një ditë tjetër për mungesë të kuorumit. Ndërsa në anën tjetër, shumë prej takimeve të komisioneve janë anuluar në momentin e fundit për shkak që deputetët kanë qenë në seancë”, thuhet tutje në njoftim.

Karakteristikë e këtij sesioni të punës së Kuvendit, shton komunikata e KDI-së, është mungesa e theksuar e pjesëmarrjes në votim nga deputetët.

Kjo vlerësohet të ketë prodhuar ngecje në funksionin ligjvënës të Kuvendit duke limituar në masë të madhe numrin e projektligjeve të miratuara, përfshirë këtu edhe dështimin e ratifikimit të disa marrëveshje ndërkombëtare me rëndësi të veçantë për qytetarët e vendit.

“Vlen të theksohet se përmbushja e agjendës legjislative për 2018 deri tani është 22%”.

Madje, sipas KDI-së, mungesa e deputetëve në votim nuk përbën shqetësimin e vetëm, pasi që deputetët kanë munguar jo vetëm në seanca plenare, por edhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit